Bota 3 Nëntor 2018, 07:19

Kontrastet ekonomike të Portugalisë dhe Italisë pas krizës

Shkruar nga Pamfleti

Kontrastet ekonomike të Portugalisë dhe Italisë pas krizës

Lisbona planifikon të arrijë deficitin më të ulët në katër dekada, ndërsa Roma sfidon kufizimet e BE-së, shkruan Financial Times

Një qeveri e Eurozonës vendoset përballë një sërë përplasjesh me BE-në mbi objektivat e deficitit buxhetor. Kostot e huamarrjes po rriten, në mes të shqetësimeve të shumta të tregut mbi planet për të përmbysur masat shtrënguese. Një sektor bankar vulnerabël dhe një nga nivelet më të larta të borxhit publik në Europë.

Italia i përshtatet më së miri një përshkrimi të tillë. Por, e njëjta gjë mund të thuhej edhe për Portugalinë më pak se tre vite më parë, pasi në pushtet erdhi një parti socialiste, e cila u zotua se do të ndërmerrte masa shtrënguese. Ajo kishte me vete edhe mbështetjen e komunistëve të vijës së ashpër dhe të të majtëve anti-establishment.

Sot, kontrastet mes këtyre dy shteteve janë më të mprehta. Javën e kaluar, Portugalia publikoi projektbuxhetin, që synon të ulë deficitin vitin e ardhshëm në 0.2% të PBB-së, njëkohësisht edhe më i ulëti në më shumë se katër dekada të demokracisë. Ndërsa projektbuxheti i Italisë propozon të arrijë një deficit prej 2.4% të PBB-së gjatë 2019, nivel shumë herë më i lartë se objektivi i përcaktuar nga BE-ja prej 0.8%. Në vijim të një publikimi të tillë, Komisioni Europian i shkroi Romës, duke i shprehur shqetësimet në drejtim të devijimit “të paprecedentë” të planeve të mëparshme.
Ndërkohë, Matteo Salvini, zëvendëskryeministri i Italisë dhe kreu i partisë Liga e Veriut, parti kundër emigrantëve, nuk është aspak dakord me masat shtrënguese të ndërmarra nga BE-ja për të varfëruar vendin e tij. E kundërta ndodh me Mário Centeno, ministrin portugez të Financave, i cili kërkon marrjen e masave shtrënguese. “Nuk ka vend për zgjidhje lehtësisht të dukshme apo populiste”, tha ai, duke iu referuar projektbuxhetit të tij.

Në rolin e tij si President i Eurogrupit të ministrave të Financës së Eurozonës, z. Centeno, e lajmëroi homologun italian, Giovanni Tria, mbi rreziqet e tejkalimit të objektivit të vendosur nga BE-ja dhe të ndryshimit të roleve me Portugalinë, kur në vitin 2016, ishte vetë ministri portugez që iu nënshtrua presionit të fortë të BE-së në drejtim të planeve të buxhetit.

 

 

Portugalia vuajti një recesion të thellë pas krizës së borxhit të Eurozonës dhe kërkoi një ndihmë prej 78 miliardë eurosh nga BE-ja dhe FMN-ja në vitin 2011. Por z. Centeno ka qenë dëshmitar i një rimëkëmbjeje të fuqishme, të rritjes ekonomike të këtij vendi. Në vitin 2017, ajo shënoi një rritje prej 2.8%, më e larta gjatë një dekade të tërë. Së fundmi, agjencia e vlerësimit Moody’s e rriti vlerësimin për Portugalinë duke e rivendosur atë në klasën e investimeve. Ndërsa në Itali, Moody’se zhvlerësoi renditjen e vendit.

Pas vlerësimit në rritje nga agjencia Moody’s, kostot 10-vjeçare të huamarrjes së Portugalisë ranë nën 2%, ndërsa në Itali ato arritën në 3.7%, niveli i tyre më i lartë në katër vitet e fundit. Qeveria e Portugalisë ndan një retorikë antishtrënguese me italianët. Tregjet janë duke e vlerësuar Portugalinë për politikat fiskale të ndjeshme, tha Holger Schmieding, një ekonomist në Berenberg.

Edhe pse progresi i Portugalisë në drejtim të reformave ishte në shkallë të vogël, ajo iu përmbajt objektivave fiskalë. Ndërsa italianët planifikojnë ndryshime të rëndësishme në drejtim të reformave dhe duan të rrisin më shumë shpenzimet.
António Costa, Kryeministri socialist i Portugalisë, i ka cilësuar politikat shtrënguese si shkakun kryesor të “niveleve të patolerueshme të varfërisë” dhe të fluksit të emigrantëve. Por, ai ka pohuar se ulja e shpenzimeve do të jetë në përputhje me përmbushjen e objektivave fiskalë të vendosur nga BE-ja.

Ndërsa Italia nuk po ndjek të njëjtën taktikë me BE-në dhe ajo po përplaset herë pas here me këtë të fundit në drejtim të objektivave të vendosur prej saj, tha Federico Santi, një analist në Grupin Eurasia. Nëse z. Costa propozoi që të ngadalësonte ritmin e rregullimit fiskal, Italia po kërkon ta ndryshojë atë vitin e ardhshëm dhe pastaj ta shtyjë atë për një kohë të pacaktuar.
Portugalia është favorizuar nga cikli ekonomik. “Z. Costa u favorizua shumë nga fakti se rritja u përshpejtua shumë herët në mandatin e tij”, tha z. Santi. Kjo krijoi edhe hapësirën e nevojshme për të paraqitur stimuj fiskalë, duke përmbushur edhe objektivat e deficitit të BE-së. Italia, në të kundërt, po kërkon të rrisë deficitin në një kohë kur rritja po ngadalësohet dhe kushtet e jashtme po bëhen gjithnjë e më pak mbështetëse.

 

 

Përveç arritjes së objektivit të deficit pranë nivelit zero, projektbuxheti i propozuar nga z. Centeno për vitin 2019, një vit i rëndësishëm elektoral, përfshin edhe rritjen e nivelit të pagave për punonjësit e sektorit publik, rritje të pensioneve shtetërore, shkurtime të taksave dhe ulje të çmimeve të energjisë dhe të transportit publik. Qeveria e Lisbonës ka rreth tre vjet që po ndryshon masat shtrënguese.

Ekonomistët argumentojnë se normat e ulëta të interesit mbi borxhin publik, ndikimi i rritjes ndërkombëtare ndaj eksporteve dhe një bum në shifrat e turizmit, kanë pasur ndikim të madh në rritjen ekonomike të vendit. Planet e Italisë në drejtim të shpenzimeve janë më të guximshme dhe përfshijnë një pagë mujore prej 780 eurosh për të papunët dhe uljen e moshës së pensionit nga 68 në 62 vjeç, në disa kategori punëtorësh.

“Partitë italiane që erdhën në pushtet, u zgjodhën kryesisht për shkak të premtimeve që bënë në drejtim të qëndrimit që do të mbanin ndaj BE-së dhe që do të përpiqeshin për të rritur shpenzimet në mënyrë të konsiderueshme. Këta faktorë shpjegojnë edhe sfidën e tyre të hapur ndaj Brukselit”, tha Antonio Barroso, analist ekonomik në Teneo Intelligence. Ndërsa për sa i përket Portugalisë, z. Barroso tha se ajo ka mbajtur një retorikë antishtrënguese për të siguruar mbështetjen e partnerëve të saj të majtë të vijës së ashpër. Ajo ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të arritur konsolidim fiskal dhe për të mos humbur besueshmërinë tek investitorët.

 

 

Rritja e ekonomisë më në fund eklipson krizën e vitit 2008

Kur Portugalia rishikoi të dhënat e PBB-së për tremujorin e dytë, tregoi se vendi kishte arritur një rritje të konsiderueshme në rimëkëmbjen e saj, shkruan Valentina Romei. Për herë të parë, ekonomia portugeze arriti vlera më të larta se ato të para krizës financiare të vitit 2008, duke lënë pas vetëm Italinë dhe Greqinë, si të vetmet vende të BE-së dhe të OBZHE-së që ende arrijnë rezultate më të ulëta se ato të para krizës financiare.
Disa ekonomistë e shpjegojnë rimëkëmbjen ekonomike të Portugalisë edhe si rezultat i rritjes së konkurrencës.

Kostot e punës në Portugali ranë më shumë se në vendet e tjera të goditura nga kriza, që do të thotë se prodhimi i saj u bë më i lirë dhe eksportet më konkurruese. Në rimëkëmbjen e Portugalisë ka pasur ndikim edhe bumi në turizëm dhe industrinë e automobilave. Numri i pushuesve ditorë e kaloi shifrën prej 60 milionë turistësh, rreth 8% më shumë krahasuar me një vit më parë. Në Itali dhe në Spanjë, rritja ishte më pak se 3%.

Sipas Unctad, midis vitit 2008 dhe vitit të kaluar, stoku i investimeve të huaja si pjesë e PBB-së u rrit nga 26 pikë përqindjeje në 66 pikë përqindjeje, një rritje kjo shumë më e lartë se ajo e Italisë apo e Spanjës. Rimëkëmbja e Portugalisë është ndier edhe në tregun e pronës. Çmimet e shtëpive u rritën në tremujorin e fundit, me një normë vjetore prej më shumë se 11%, më tepër se dyfishi i mesatares së BE-së.
Për këtë arsye, çmimet e shtëpive të banesave portugeze arritën në nivelet e tyre të para krizës së vitit 2008, ndryshe nga Spanja, Italia dhe Greqia, ku ato janë ende më të lira se një dekadë më parë./ Financial Times./Monitor

Bota Kontrastet ekonomike të Portugalisë dhe Italisë kufizimet e BE