
Departamenti Amerikan i Drejtësisë do të publikojë ditën e premten një version të reduktuar të dokumentit, me provat që shpjegon arsyen e kontrollit në pronën e ish-presidentit Donald Trump në Florida, nga FBI në fillim të këtij muaji.
Nxjerrja e këtij versioni të dokumentit ku përfshihen provat e mbledhura nga prokurorët, mund të çojë në zbulimin e detajeve të reja mbi hetimet që po kryen mbi ish-presidentin amerikan.
Nëse publikimi i dokumentit vërteton fajësinë e tij, kjo mund të dëmtojë seriozisht ambiciet e ish-presidentit për të ri-kandiduar në zgjedhjet presidenciale.
Departamenti i Drejtësisë e kundërshtoi bërjen publike të versionit origjinal të dokumentit për shkak se procesi hetimor ka në fokus keqpërdorimin e dokumenteve sekrete nga Trump dhe është ende në proces.
Sipas mandatit të kontrollit, agjentët e FBI-së donin të verifikonin nëse ish-presidenti kishte kryer një krim duke përvetësuar dokumente qeveritare, duke i marrë ato nga Shtëpia e Bardhë në kompleksin e tij Mar a Lago në momentin që kishte përfunduar mandatin.
Presidentëve amerikanë u kërkohet t’i transferojnë dokumentet dhe email-et në Arkivën Kombëtare kur lënë detyrën.
Ndërsa, Trump mohon çdo keqpërdorim të dokumenteve dhe insiston se dosjet e klasifikuara që sipas hetuesve u gjetën në Florida, ishin deklasifikuar prej tij.
Gjyqtari Bruce Reinhart urdhëroi që dokumenti të publikohet në versionin e tij të redaktuar. Ai tha se prokurorët kishin treguar “arsye bindëse” për të censuruar pjesë të dokumentit, që mund të çojë në zbulimin e identiteteve të dëshmitarëve, oficerëve të agjencive ligjzbatuese, por edhe strategjinë hetimore, drejtimin, qëllimin dhe metodat e saj, shkruan BBC.