Politike15 Shtator 2018, 08:14

Kontrolli i politikës, deputetët që kërkojnë Veting të dënuar dhe me nga 2 emra, mungojnë firmat e Berishës dhe Kryemad

Shkruar nga Pamfleti
Kontrolli i politikës, deputetët që kërkojnë Veting

Dyzetë e katër deputetë të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë firmosur propozimin e depozituar në Kuvend, për Vetingun e politikanëve për lidhjet me krimin, duke përjashtuar familjarët e tyre, sa i takon ligjshmërisë së pasurive. Në listën e deputetëve firmëtarë bien në sy edhe disa ligjvënës të dënuar më parë për vepra të ndryshme penale, deputetë që kanë ndryshuar emrat, persona me dosje të pagjykuara si dhe ligjvënës të akuzuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë për korrupsion. Nga ana tjetër, në listën e deputetëve propozues nuk figurojnë kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Zonja Kryemadhi është shprehur kundër monitorimit të Vetingut të politikanëve nga ndërkombëtarët siç po mbikëqyrin Vetingun në drejtësi, ndërsa sa i takon përjashtimit të familjarëve të politikanëve, ka pohuar se familjarët janë hetuar.

Firmëtarët
Lista e deputetëve propozues të amendamenteve për Vetingun e politikanëve kryesohet nga kryetari i PD, Lulzim Basha. Kreu i opozitës është marrë më parë i pandehur për dosjen e abuzimit prej 230 milionë eurosh me Rrugën e Kombit, dosje e cila nuk është gjykuar ende nga një gjykatë, por është arkivuar me manovra procedurale. Nisma është firmosur edhe nga deputeti i PD, Edi Paloka, i dënuar dy herë për organizim të manifestimeve të paligjshme dhe shpifje. Sipas formularit të dekriminalizimit, Paloka është dënuar nga Gjykata e Tiranës, me vendim nr 10, datë 12.01.2001, për veprën penale të organizimit të manifestimeve të paligjshme, parashikuar në nenin 262/1 të Kodit Penal. Po ashtu, Paloka është dënuar nga Gjykata e Lartë, me vendim nr. 8, datë 05.06.2015, për shpifje, parashikuar në nenin 120/2. Paloka gjithashtu është arrestuar nga Policia e Tiranës në flagrancë, në datën 29.11.2000, me akuzën e parashikuar në nenet 262/1 dhe 236/2 të Kodit Penal, pra për manifestim të paligjshëm dhe kundërshtim të forcave të policisë. Propozimi është firmosur edhe nga deputeti i Partisë Demokratike, Qarku Lezhë, Anton Frrokaj, i cili ka ndryshuar gjeneralitetet. Emri i mëparshëm i tij rezulton se është Anton Biba. Amendamentet kushtetuese mbajë edhe firmën e deputetit Xhemal Gjunkshi. Ky i fundit ka qenë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Në kabllogramet e Ambasadës Amerikane, publikuar në 2011, akuzohej nga ambasada e SHBA në Tiranë, për korrupsion të frikshëm, pasi kupola e institucionit që drejtohej prej tij u merrte deri në 7 mijë dollarë ushtarëve shqiptarë që shkonin me mision në Irak dhe Afganistan.

Dekriminalizimi i pamjaftueshëm
Në relacionin e projektligjit, deputetët theksojnë se dekriminalizimi tashmë është i pamjaftueshëm për të shkëputur lidhjet e qeverisjes me krimin, pasi pas veprimit të ligjit të dekriminalizimit, politika dhe krimit po bashkëpunojnë në një mënyrë tjetër. “Efektet e këtyre rezultateve të dekriminalizimit duke larguar nga funksionet shtetërore individë të dënuar për kryerjen e krimeve u zhbënë, për shkak të transformimit në mënyra të reja të bashkëpunimit mes krimit të organizuar dhe qeverisjes. Këto mënyra të reja të bashkëpunimit janë zëvendësimi i vetë eksponentëve të botës së krimit në institucionet më të larta të vendit me individë në shërbim të krimit të organizuar, të caktuar prej tyre në poste dhe detyra shtetërore, si dhe politikanë të lidhur drejtpërdrejt me eksponentë të krimit të organizuar. Për pasojë, dekriminalizimi rezulton i pamjaftueshëm për të shkëputura lidhjet e qeverisjes me krimin”, thuhet në relacion. Sipas propozuesve, kapja e qeverisjes nga krimi nëpërmjet përfshirjes së individëve me lidhje të  drejtpërdrejtë me krimin e organizuar, në Kuvend, në pushtetin vendor, apo në funksione të larta apo funksione kyçe të administratës publike dhe organeve ligjzbatuese, përben një kërcenim të rëndë për integritetin dhe funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike dhe për vetë sigurinë kombëtare./shqiptarja.com/

Deputetët që kanë firmosur propozimin
Lulzim Basha
Edmond Spaho
Petrit Vasili
Edi Paloka
Hekuran Hoxholli
Oerd Bylykbashi
Grida Duma
Bardh Spahia
Endri Hasa
Luçiano Boçi
Fatbardha Kadiu
Velentina Duka
Orjola Pamuri
Xhemal Gjunkshi
Floida Kërpaçi
Kejdi Mehmetaj
Përparim Spahiu
Luan Rama
Sezai Rokaj
Klajda Gjoshaj
Andon Frrokaj
Luan Baçi
Ervin Salianji
Albana Vokshi
Dhurata Çupi
Nadire Meçorapaj
Tritan Shehu
Edmond Panariti
Lorenc Luka
Rudina Hajdari
Astrit Veliaj
Romeo Gurakuqi
Gent Strazimiri
Klevis Balliu
Aldo Bumçi
Jorida Tabaku
Florion Mima
Lindita Metaliaj 

Politike deputetët që kërkojnë Veting të dënuar dhe me nga 2 emra Kontrolli i politikës mungojnë firmat e Berishës dhe Kryemadhit (Zbardhet lista)