Kosova19 Gusht 2022, 10:57

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Korrespondenti i “Kohës Ditore” në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se brenda Bashkimit Europian, takimi i së enjtes midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është cilësuar si takimi më i mirë që palët e kanë zhvilluar deri më tash.

Palokaj ka thënë se në këtë takim edhe pse ka pasë më shumë mospajtime sesa pajtime mes palëve, sikurse Kurti edhe Vuçiq, e kanë kuptuar që duhet të punojnë se bashku për të arritur rezultate konkrete.

“Ajo çka është thënë nga BE-ja është se takimi ka qenë shumë i vështirë, që më shumë ka pasur mospajtime sesa pajtime, por se një burim i BE-së ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur takim më të mirë midis Kurtit dhe Vuçiqi, sepse për herë të parë kanë shfaqur pikëpamjet e tyre se si e shohin normalizimin e raporteve mes dy vendeve dhe ndonëse nuk është arritur një rezultat konkret, thuhet se vetë fakti se e kanë kuptuar se duhet të punojnë se bashku për t’i ulur tensionet konsiderohet një lajm i mirë për BE-në dhe bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Palokaj.

Ishte Kryediplomati Josep Borell, ai i cili në konferencën për media pas bisedimeve disa orëshe me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, tha se s’kanë arritur marrëveshje lidhur me vendimin për targat dhe dokumentet e udhëtimit.

Borell tha se dy liderët u pajtuan që të vazhdojnë diskutimin dhe të rikthehen për bisedime para 1 shtatorit.

“Ne pamë rritje tensionesh për vendimin e targave dhe dokumenteve, komuniteti ndërkombëtar s’do të shohë eskalim të situatës dhe palët do të jenë përgjegjëse për të. Ne nuk arritëm marrëveshje sot, por s’është fundi i tregimit, dy liderët u pajtuan se procesi duhet të vazhdojë dhe diskutimi do të rikthehet në ditët e ardhshme dhe ka kohë deri më 1 shtator. Nuk dorëzohemi”, tha ai.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE’së u shpreh se dy liderëve ua ka kujtuar se takimi i thirrur sot s’është i rregullt, por është takim në kohë krize.

“Nuk ishte takim normal, nuk ishte i rregullt, bashkë me Emisarin Lajcak, të cilin dua ta falënderoj për punën e mirë. Këtë takim e thirrëm sepse u ballafaquam me ngritje tensionesh në veri. U thashë dy liderëve ky ishte një takim në kohë krize dhe qëllimi ishte të qetësojmë situatën në terren”, tha Borrell.

Ai tha po ashtu se Kurti dhe Vuçiq do ta kenë përgjegjësinë për çdo eskalim situate në veri.

“Mund të themi se ky takim ishte për përgjegjësinë e dy liderëve për të gjetur zgjidhje në mirëbesim për siguruar paqen dhe stabilitetin në veriun e Kosovës. Kjo ndodhi në kohën kritike të Evropës, me rikthimin e luftës në kontinentin tonë në Ukrainë dhe ky s’është moment për të ngritur tensione por për të gjetur zgjidhje”, tha Borell para gazetarëve.

 

Prishtine