
Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi foli sa i takon korrupsionit dhe situatës aktuale në vend. Ai tha se vendin ndodhet në një situatë tepër të vështirë dhe kjo për shkak se korrupsioni ka hyrë në çdo nivel të shtetit.
Shehi tha gjithashtu se sasia e parave korruptive në vend sa vjen e rritet dhe ky fenomen në vend që të luftohet nga shteti, shteti zgjedh të bëhet palë. Sipas tij me këtë nivel të lartë korrupsioni rruga e Shqipërisë drejt Evropës është shumë e largët.
“Jemi shumë më keq. Sasia e parave korruptive që qarkullon vjen duke u rritur. Këtu rritet volumi, njëkohësisht masa korruptive, por edhe përqindja në njëfarë mënyrë. Korrupsioni ka qenë në Shqipëri, por kurrë në këto nivele që është sot. Sot tepsia publike ndahet me tendera e PPP dhe është bërë kapilar korrupsioni, fillon nga nëpunësi i tatimeve që hyn tek dyqani dhe e ndan bashkë me pronarin, atë që duhet t’i paguajë shtetit shqiptar.
Pra po flas për historitë e përditshme, nga polici i zonës që duhet të vejë rregull është bërë vetë si gjysmë biznesmeni, e bën sikur nuk i sheh kamerat e vendosura mes qytetit. Korrupsion ka edhe mes Londrës, në Amerikë, por shteti i është kundërvënë dhe herë fiton dhe herë jo. Por në Shqipëri është bërë palë me korrupsionin.
Tek ne, të ndershmit janë trembur…Ka ardhur dita për një përmbysje të madhe. Me këto ritme rezultati është i frikshme, që t’i afrohemi Evropës duhet të zbresim 50 numra, këtu nuk ka asnjë shenjë. Kosova e ka bërë është më ndryshe dhe ka përmirësim”, tha ndër të tjera Shehi në emisionin “Open” në “News24”.