
Prokurori i Antimafias Italiane Nicola Gratteri ka plasur “bombën” sa i takon lidhjes së mafies shqiptare me politikën.
Në një intervistë, ai ka thënë se grupet kriminale shqiptare janë pasuruar së tepërmi dhe kjo për shkak të korrupsionit politik në Shqipëri.
“Mafia shqiptare nuk është më ajo e grabitjeve të vilave, por është një mafia shumë e strukturuar që është pasuruar shumë në vendin e saj falë një korrupsioni të niveli të lartë“, ka deklaruar prokurori italian në një interviste për një nga youtuber-in më të njohur italianë, Muschio Selvaggio.
Sipas tij, grupet më të fuqishme në Itali janë: mafia kalabreze Ndrangheta, mafia shqiptare dhe mafia e afrikanoveriore.
Ai shtoi se Ndragheta është e shtrirë në shumë shtete dhe ka një xhiro vjetore mbi 50 miliardë euro në vit.
“Mafia kalabreze Ndrangheta ka një xhiro biznesi të barabartë me 50 miliardë euro në vit, është e pranishme në Australi, në SHBA, Kanada, Gjermani e cila është vendi europian me praninë më të madhe të ndranghetistave në territorin e saj, pasi ka një lesgjislacion të favorshëm e jo një kontrast të vërtetë kundër pastrimit të parave të pista. Në Gjermani mund të hysh në një dyqan makinash me një valixhe me para të blesh me para në dorë një automjet e askush nuk të pyet se ku i more këto para“, është shprehur ai.
Më tej ka sqaruar se mafia kalabreze Ndrangheta ka monopolin e kokainës në Amerikën jugore. Sipas tij, Ndragheta është e vetmja mafie që mund të blejë kokainë nga pyjet e Amazonës me një çmim 1000 euro kilogrami, kur të gjitha mafiet e tjera e blejnë me 1800 euro.
“Ndrangheta mbetet një nga mafiet më të besueshme në bashkëpunimin me kartelet amerikano jugore, për egërsinë e tyre, për numrin e pakët të të penduarve, për garancinë e besueshmërisë që japin në aktivitetit kriminal. Ndrangheta është tashmë në brezin e tretë të brokerave që punojnë e jetojnë në Amerikën e Jugut e kontraktojnë kokainë prej gati tre gjeneratash. Për të hyrë në biznesin e kokainës së familjes të Cosa Nostra i kërkojnë leje Ndragheta-s kalabreze e cila ka monopolin e këtij trafiku në botë“, ka deklaruar ai.
Nicola Gratteri është një nga njerëzit më të mbrojtur në Itali, pasi është në shënjestër të mafies. Ai ka treguar dhe episode nga planet e eliminimit.