Kosova11 Gusht 2022, 09:09

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Prishtinë, 11 gusht– Drejtori ekzekutiv i Korporatës energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi paralajmëroi se së shpejti do të shpallet tender për shitjen e qymyrit dhe se midis atyre që kanë shprehur interesim për blerje është Korporata energjetike e Maqedonisë së Veriut – EMV.

Në intervistën e mbrëmshme për KTV-në e Prishtinës, Krasniqi deklaroi  se deri më tani kanë ekzistuar negociata midis korporatave të dy vendeve për shkëmbimin e qymyrit dhe të energjisë elektrike, por se nuk ka marrëveshje konkrete. Kjo, sipas Krasniqit, ndër të tjera, ka të bëjë edhe me konsumin e madh për energji elektrike në Maqedoninë e Veriut.

Ai thotë se KEK-u i ka informuar  partnerët nga Maqedonia e Veriut se do të shpallet tender, ndërsa ata kanë shprehur interesim për blerjen e qymyrit të Kosovës.

“Kemi biseduar me liderët e Korporatës energjetike të Maqedonisë së Veriut për mundësinë nga shkëmbimi i qymyrit dhe energjisë elektrike, por për momentin nuk shohim shumë mundësi për ta realizuar atë shkëmbim, sepse edhe ata kanë kërkesa të mëdha për energji elektrike. Megjithatë, negociatat vazhdojnë dhe në të ardhmen mund të presim diçka të tillë. Ajo për çka jemi dakorduar është që të shpallim tender për shitjen e qymyrit dhe ata kanë shprehur interesim për të ardhur dhe të blejnë qymyr nga ne”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se kriteret e tenderit janë përcaktuar, por se më vonë “tregu do të tregojë se cili do të jetë çmimi i shitjes” të qymyrit të Kosovës.

“Lidhur me shkëmbimin nuk është se kemi bërë ndonjë marrëveshje, sepse edhe ata (pala maqedonase) për momentin nuk kanë energji të mjaftueshme elektrike”, tha Krasniqi.

Ai përmendi se Kosova megjithatë nuk është e gatshme për eksport sasive të mëdha të qymyrit, ndërsa i mohoi pretendimet në disa media se ka pasur kërkesa për import të qymyrit nga Serbia.

“Pajisjet tona dhe e gjithë infrastruktura nuk janë gati për eksportin e sasive të mëdha të qymyrit, megjithatë ka kërkesa në treg për shkak të krizës botërore energjetike. Tek ne si korporatë nuk ka arritur asnjë kërkesë nga askush nga Serbia që do të kërkonte qymyr”, tha Krasniqi.

Prishtine