Së fundmi një grua dyshohet se është dhunuar seksualisht në një motel në rajonin e Gjilanit në Kosovë. Raportohet se policia ka ndaluar një 29 vjeçar me iniciale, P.M., i dyshuar për dhunimin 33-vjeçares.
Prokuroria Themelore e Gjilanit ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore të Gjilanit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, P.M, 29 vjeç.
Gazeta Express raporton se viktima dhe i dyshuari kishin kohë që janë njohur. Viktima u keqtrajtua seksualisht në motel, pasi fillimisht u lidh nga i dyshuari, i cili dyshohet se më pas kreu marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e saj.
Rastin e dhunimit e ka bërë të ditur Policia e Kosovës me anë të raportit 24-orësh, ku thuhet se viktima ka kryer ekzaminimet mjekësore.
Në njoftim thuhet: “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak të dyshimit se i njëjti në një motel ka dhunuar viktimën femër kosovare. Viktima ka kryer ekzaminimet mjekësore, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti është duke u hetuar”.