Aktualitet23 Janar 2019, 07:48

KPK zbardh arsyet e shkarkimit të gjyqtarit Luan Dervishi: Regjistroi apartamentin në Tiranë në emër të vjehrrës për ta

Shkruar nga Pamfleti
KPK zbardh arsyet e shkarkimit të gjyqtarit Luan Dervishi: Regjistroi

KPK zbardh arsyet e shkarkimit të gjyqtarit Luan Dervishi: Regjistroi apartamentin në Tiranë në emër të vjehrrës për ta fshehur

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbardhi dje të gjitha arsyet që e kanë çuar drejt vendimit për të shkarkuar nga detyra ish-gjyqtarin e Apelit të Shkodrës, Luan Dervishi. Ajo që bie në sy në vendimin e zbardhur është fakti se Dervishi ka probleme të shumta me pasurinë. Midis pasurive të pajustifikuara, KPK i ka gjetur ish-gjyqtarit edhe një apartament në Tiranë, të cilin Dervishi e ka regjistruar në emër të vjehrrës për ta fshehur.

“Lidhur me banesën me sipërfaqe 60 m2, në të cilën subjekti banon aktualisht, ndodhur në Tiranë: Subjekti i rivlerësimit është përpjekur të fshehë këtë pasuri duke e regjistruar në emër të personit tjetër të lidhur/znj. M. Sh. Subjekti i rivlerësimit banon tek ky apartament prej 7 vitesh pa ndërprerje dhe pa kundërshpërblim; Znj. M. Sh, jeton në SHBA nga viti 2009 dhe nuk kishte asnjë arsye se përse duhet të blinte një pronë të cilën nuk e jep me qira apo nuk jeton vetë aty; Prokura pa afat që, znj. M. Sh, i ka lëshuar vajzës së saj/ znj. L. D (bashkëshorten e subjektit të rivlerësimit), më datë 8.10.2012, që ta përfaqësojë atë pranë të gjithë institucioneve administrative”, thuhet në njoftim. Aty janë listuar edhe të gjitha problemet e tjera me pasuritë e Luan Dervishit.

“Për sip trualli, me sipërfaqe 365 m2 në bashkëpronësi me të tjerë me pjesë takuese 48 m2 në Tiranë subjekti i rivlerësimit: Nuk arriti të provojë se personat e tjerë të lidhur/dhuruesit e këtij trualli kishin burime të ligjshme për dhurimin e bërë. Apartament banimi, me sip. 125 m2 si dhe një garazh me sip. 40 m2 ndodhur në Tiranë, me vlerë ndërtimi 2.500.000 lekë: Subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të rremë në lidhje me burimin e krijimit dhe kohën e pagimit të kësteve të ndërtimit të këtij apartamenti; Në lidhje të ardhurat nga qiraja e garazheve për vitet 2004, 2005 dhe 2006: Subjekti i rivlerësimit ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar të ardhurat nga qiraja e garazheve. Në lidhje me garazhin me sip. 20 m2: Subjekti i rivlerësimit ka fshehur numrin dhe sipërfaqen e saktë të garazheve në posedim”, thuhet aty.

Një tjetër arsye që e ka çuar Luan Dervishin drejt shkarkimit është fakti se ai ka fshehur shumën reale të përdorur për shkollimin e vajzës.

Aktualitet apartament gjyqtar KPK Luan Dervishi Shkarkim