Aktualitet15 Korrik 2018, 09:30

KPK zbret “lupën” tek anëtarët e Krimeve të Rënda dhe Apelit, 5 seanca dëgjimore brenda 3 ditëve. Emrat që do të ka

Shkruar nga Pamfleti
KPK zbret “lupën” tek anëtarët e Krimeve të

KPK zbret “lupën” tek anëtarët e Krimeve të Rënda dhe Apelit, 5 seanca dëgjimore brenda 3 ditëve. Emrat që do të kalojnë në Vetting

Pas mbylljes së verifikimeve ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ku i fundit që kaloi në sitë ishte Gani Dizdari, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka zbritur “lupën” tek anëtarët e Krimeve të Rënda dhe tek ata të Apelit. KPK nëpërmjet një njoftimi në internet shprehet se javën e ardhshme do të zhvillohen 5 seanca dëgjimore brenda tre ditëve. Sipas njoftimit të KPK, ditën e hënë do të zhvillohet seanca dëgjimore me Artan Zenelin. Seanca do të mbahet në orën 13:00 dhe trupi gjykues që do të shqyrtojë çështjen do të përbëhet nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari.

Sipas ”SOT” ditën e martë KPK do të zhvillojë dy seanca dëgjimore. Seanca e parë do të zhvillohet në orën 11:00 me gjyqtaren e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, Nertila Kosovën. Sipas KPK, trupi gjykues do të përbëhet nga treshja e gjyqtarëve Firdes Shuli, Roland Ilia dhe Olsi Komici. Ndërsa në orën 13:00, KPK ka bërë me dije se nën cilësinë e trupës gjykuese: Firdes Shuli, Roland Ilia dhe Valbona Sanxhaktari do të zhvillohet seanca dëgjimore me prokuroren e prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Antoneta Sevdari.

Por edhe ditën e mërkurë KPK ka planifikuar që të zhvillojë po dy seanca dëgjimore. Seancën e parë do e zhvillojë në orën 11:00 me prokurorin e prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Arben Nela, ndërsa seancën e dytë do e zhvillojë në orën 13:00 me gjyqtarin e Gjykatës së Apelit të Tiranës, Ervin Metalla. Ndërkohë trupa gjykuese që do të merret me shqyrtimin e këtyre dy seancave do të përbëhet nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari. Bëjmë me dije se me përjashtim të gjyqtarit Ervin Metalla, pjesa tjetër janë kandidatë për KLGJ dhe KLP.

25 gjyqtarë dhe prokurorë në “sitën” e vetingut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka verifikuar deri më sot 25 gjyqtarë dhe prokurorë. Nga data 23 mars e deri më sot KPK nga 25 verifikime që ka kryer ka konfirmuar në detyrë 13 gjyqtarë dhe prokurorë, nga të cilët 8 janë kandidatë për KLGJ dhe KLP, si dhe pritet të jepet vendimi për gjyqtarin e Kushtetueses Gani Dizdari dhe gjyqtarin Tom Ndreca, të cilët me shumë mundësi nuk do e kalojën procesin e vetingut pasi u gjetën me shkelje.

Por teksa KPK ka shtuar seancat në dëgjimore me kandidatët e KLP dhe KLGJ, vlen të theksojmë se kanë ngelur për tu verifikuar edhe 22 prokurorë dhe gjyqtarë që janë pjesë e grupit prioritar prej 57 prokurorëve dhe gjyqtarëve që kandidojnë për tu bërë pjesë e KLP dhe KLGJ.

Ndërkohë vlen të theksojmë se me përfundimin e procesit të verifikimit edhe ndaj 22 prokurorëve dhe gjyqtarëve të mbetur, KPK i hap rrugë ngritjes së organeve të reja të drejtësisë, KLGJ-së dhe KLP-së, që sipas parashikimeve pritet të ngrihen brenda shtatorit. Por me ngritjen e këtyre dy institucioneve, i hapet gjithashtu rruga edhe luftës ndaj të korruptuarve pasi dy muaj pas ngritjes së KLP dhe KLGJ do të marrë jetë dhe SPAK së bashku me Byronë Kombëtare të Hetimit.

Megjithatë, vlen të theksojmë se edhe pse KPK po përshpejton seancat për të mundësuar ngritjen e KLGJ dhe KLP, ato rrezikojnë të mos kenë asnjë funksion. Kjo për faktin se nëse PD dhe LSI nuk japin konsensus për ligjet e reformës në drejtësi që ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese, KLP dhe KLGJ nuk do të mund të marrin dot asnjë vendim dhe pse mund jenë ngritur si institucione.

Aktualitet Gjykata e Apelit gjyqtarët dhe prokurorët Kriemt e Rënda