Kosova 8 Nëntor 2022, 19:25

KQZ-ja nis procedurat për zëvendësimin e deputetëve serbë në Kosovë

Shkruar nga Pamfleti
KQZ-ja nis procedurat për zëvendësimin e deputetëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë kërkesë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që të rekomandohen emrat të cilët do t’i zëvendësojnë deputetët e Listës Serbe, që kanë dhënë dorëheqje.

Dhjetë deputetët e Listës Serbe, së bashku me zyrtarët e tjerë serbë në institucionet në veri të Kosovës, dhanë dorëheqje në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar planin për riregjistrimin e makinave me targa serbe.

“Duke u mbështetur në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përgatisë rekomandimin brenda afatit ligjor prej pesë ditësh pune nga momenti i marrjes së kërkesës”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Sipas procedurave, deputetët e dorëhequr duhet të zëvendësohen me emrat e radhës në listën për deputetë të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë.

Prishtine KQZ Lista Serbe Vjosa Osmani