Editorial 5 Dhjetor 2022, 10:11

 Krenaria jonë, Zvicra!

Shkruar nga Pamfleti

 Krenaria jonë, Zvicra!

Nuk është aq e çuditshme pse atyre u duhen mitet, por është vështirë të kuptohet përse neve na bëjnë të ndihemi …zviceran?!

Shkruan Fadil Lepaja

“Thuaju të gjithëve se fituam”, kështu thuhet të jetë zhvilluar një bisedë në mes të presidentit serb dhe selektorit të kombëtares serbe, menjëherë pasi Serbia humbi me Zvicrën.

Kështu, botërori i futbollit po vazhdon, veçse pa disa ekipe nga më të fortat në botë, siç janë, Gjermania dhe…Serbia, të cilat u eleminuan tashmë.

Në rregull, Serbia nuk është se hyn në radhën e ekipeve të forta nëse i referohemi historisë dhe të tashmes së futbollit ndërkombëtar, por serbët ende nuk e dinë këtë. Media dhe politika po i bindin suksesshëm tifozët serb se janë më të mirët në botë, por dikush nuk po lejon që ata të fitojnë dhe këtë duhet ta kuptojnë vetëm si konspiracion ndërkombëtar kundër serbëve.

Perëndimi nuk e duron himnin e tyre kombëtar, flamurin e tyre dhe… serbët në përgjithësi. Sidomos mendojnë se Evropa dhe perëndimi janë armiqtë, ndërsa Rusia, Kina dhe …Franca janë miqtë. Nejse, Franca është në Evropë, por ajo nganjëherë me politikën e saj i huton edhe serbët.

Përndryshe, ndeshja me përfaqësuesen zvicerane u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Në stadium ishte e ndaluar të përdoreshin të gjitha simbolet që mund të asocionin në çfarëdo shqiptare, përfshi edhe gjestet që mund të lëndojnë ndjenjat serbe, siç është bashkimi i duarve dhe imitimi i shqiponjës. Padurimi serb ndaj …Zvicrës është i pashpjegueshëm, i çuditshëm dhe patologjik madje, nëse krejt këtë ndeshje nuk e shohim nën prizmin (gjeo)politik dhe ideologjik, ballkanik.

Presidenti serb, i cili e urdhëroi “Piksin”, selektorin e kombëtares serbe që të trumbetojë fitoren ndaj Zvicrës, gjithashtu i dëshpëruar nuk deshi kurrsesi të marrë pjesë as në samitin Evropë- Ballkani Perëndimor si humbës. Ai, do të ishte i lumtur sikur të mund të injoronte këtë ndeshje shqiptaro- serbe, ashtu si po e injoron samitin evropian për Ballkanin Perëndimor në Tiranë, apo të mund të urdhëronte Evropën dhe mediat e regjimit ta shpallin si fitore një samit i cili mohon hapur,  vëllazërinë Rama-Vuçiç për Ballkanin e Hapur. 

As miku, “vëllai” i tij politik Edi, nuk arriti ta bëjë të ndërroj mendje..

Por ka një dallim esencial mes të dy ‘sijamezëve’ ballkanik, të cilin ne “banalistët” ballkanik, shpesh, nuk e vërejmë ose e injorojmë. Edi nuk e ka me rëndësi a do të jetë Ballkani evropian apo evro-aziatik, vetëm të  jetë i hapur të qarkullojnë turistët, jahtet, paraja, gazi. 

Ndërsa  Aleksandri po, e ka me patjetër të jetë neutral, as Evropë as Azi, edhe Evropë edhe Azi, sidomos është me rëndësi që në samit të mos paraqitet Kosova si shtet.

Tani, Samiti, botërori, Evropa, Ballkani i hapur, si mund të futen kështu në një thes, brenda një shkrimi të vetëm i cili ka të bëjë me sport, me një ndeshje të humbur e cila si shumë humbje serbe kërkohet të shpallet historike dhe fitore, sepse tifozëria politike e sportive serbe duhet të flejë edhe 500 vjet.

Biseda mes presidentit serb dhe selektorit të kombëtares së tyre nuk ishte mbyllur me këtë urdhër për të shpallur të fituar ndeshjen Zvicër-Serbi. Barcaleta që qarkullon në mediat sociale serbe thotë se “Piksi” e ka kundërshtuar presidentin  me argumentin se tashmë të gjithë e dinë rezultatin.

“Ani çka”, thuhet t’i ketë kundër argumentuar presidenti, “edhe Betejën e Kosovës e dinë të gjithë të humbur, por ne tani po bëjmë një film ku e fitojmë atë”. E kemi humbur para 500 vitesh, e mban mend kush atë?

Përndryshe, Xhaka dhe Shaqiri, dy futbollistët kyç të kombëtares zvicerane, falë inatit tradicional serb, vazhdojnë të përfaqësojnë Kosovën politike në botëror. Ata tashmë janë armiqtë më të famshëm të Serbisë sportive, ndërkohë që serbët e kanë idenë e madhështisë edhe në sport. Kjo ndjenjë mbahet veç me mite.  Nuk është aq e çuditshme pse atyre u duhen mitet, por është vështirë të kuptohet përse neve na bëjnë të ndihemi …zviceran?!  Të ndihemi krenarë…me Zvicrën!/Pamfleti

Ky artikull është ekskluziv i Pamfletit, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Pamfletin dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Editorial “Pamfleti” #Krenaria jonë Fadil Lepaja Zvicra

Editorial