
Juristi i njohur Kreshnik Spahiu ka komentuar situatën politike në vend dhe jovetëm, teksa e ka ndalur theksin tek protesta e 21 janarit e vetit 2011, ku mbetën të vrarë katër protestues dhe u plagosën qindra të tjerë, si dhe tek skandali lidhur me akuzat se kryeministri Edi Rama është i përfshirë në aferë korruptive me ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal.
Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, Spahiu duke folur rreth provave të reja që janë zbuluar për ngjarjen e “21 Janarit”, theksoi se nëse 4 kufoma nuk konsiderohen provë, atëherë është e vështirë që të konsiderohen provë 4 përgjime.
Spahiu tha se vetë përgjimi në kuptimin e ligjit nuk është provë, por konsiderohet si mjet i kërkimit të provës. Ai shtoi gjithashtu se edhe nëse nuk ka prova që Berisha ka urdhëruar drejtpërdrejt për vrasjen, ka prova që ish-kryeministri me gjithë mekanizmin e tij ka tentuar të mbulojë vrasjen.
Intervista:
– Zoti Spahiu, javën që shkoi u përkujtua “21 Janari”, ku 12 vite më parë gjatë protestës së opozitës u vranë nga Garda e Republikës katër protestues të pafajshëm. Cili është mendimi juaj për këtë ngjarje dhe a quhen përgjimet e reja të dala për “21 janarin” një indicie që të çon drejt një provë?
Shiko, në një shtet ku 4 kufoma nuk konsiderohen prova është shumë e vështirë që të besojmë se disa përgjime do të konsiderohen prova. Pra në një shtet ku 4 kufoma nuk konsiderohen asgjë imagjinoni përgjimet nëse mund të quhen prova, sepse vet përgjimi nuk është provë, përgjimi në kodin e procedurës penale konsiderohet mjet i kërkimit të provës. Ajo që unë do doja që të hidhej dritë është nëse kemi të bëjmë me një përgjim apo kemi të bëjmë me një audio autentike, pra kemi të bëjmë me audion e marr nga serveri ku regjistrohen audiot nga radiot e të gjithë gardistëve apo kemi të bëjmë me një përgjim nga një subjekt i tretë, i cili ka interferuar në këtë audio. Nëse është kjo e fundit, mund të them se ato subjekte përgjimi që kanë nxjerr këtë përgjim mbase nuk është përgjimi parë, por mund të nxjerrë edhe të tjera.
-Po fakti që këto përgjime kanë dal me vonesë, pasi hetimi është kryer pas gati 12 vitesh, a e kanë penguar hetimin që ka bërë drejtësia?
Kjo është e vetmja çështje penale për të cilën Sali Berisha mund të vihet nën akuzë, sepse për të gjitha dosjet e tjera për shkak të parashkrimit të veprës penale nuk mund të hetohet më nga prokuroria. Nëse nuk ka prova që ka urdhëruar Berisha, ka prova që Saliu ka tentuar të mbulojë vrasjen sepse nuk ka lejuar oficerët e policisë që të këqyrin vendin e ngjarjes, po ashtu është manipuluar arma e shefit të Gardës sepse është ndërruar shuli. Berisha ngriti një mekanizëm për të mbuluar vrasjen, ku ka dal edhe vet në konferencë dhe tha se vrasjet janë bërë nga çadra pistoletë dhe thika me helm. Po ashtu u tentua që t’i jepeshin lekë familjarëve për të tërhequr akuzat, prokurorët u sulmuan shumë ashpër dhe njërit nga gjyqtarëve u është presion. Aleks Nika as nuk ishte i armatosur dhe as nuk tentoi që të hynte në kryeministri, tani ca rreziku përbente ai për gardën dhe asnjë nga protestuesit socialist nuk është provuar që të ketë pasur armë. Në histori nuk ka asnjë kryeministër që ka vrarë me dorën e vet, edhe Enver Hoxha se ka bërë këtë, por ka vrarë me vendim gjykate. Tani arsyeja pse Ulsi Manja ka bërë kallëzimin është sepse paraqitja e zotit Hoxha në prokurori nuk është kallëzim, ai është thirrur për të paraqitur atë provë që ka pasur që do vlerësohet nëse është i ligjshëm apo i paligjshëm dhe për këtë ministri ka bërë një kallzim. Ditën e protestës vet Sali Berisha dhe Lulzim Basha kanë qenë në zyrë kur ka ndodhur ngjarja.
-A kishte nevojë Sali Berisha t’i thoshte komandantit të Gardës që duhet që të qëllonte sepse ka një manual se kur përdoren armët?
Po sepse ka dal jashtë manualit, nëse nuk është provuar urdhri i Berishës, është provuar përpjekja e Saliut për të fshehur ngjarjen. Mirëpo fakti që vrasjet janë bërë në vende të ndryshme, tregon se kemi të bëjmë me një krim shtetëror, që kishte si qëllim të frikësonte opozitë. Pasi nëse do ishte e kundërta, do ishin vrarë vetëm protestuesit në rreshtin e parë. Por duke vrarë në pozicione të ndryshme, protestuesit e shumta e shikonin këtë gjë dhe frikësoheshin, ky ishte mesazhi.
-Keni një koment lidhur me akuzat se kryeministri Edi Rama është i përfshirë në aferë korruptive me ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal?
Një javë parë ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim bëri një deklaratë të fortë, ku tha se politikanët nuk po i zë gjumi natën se kush do arrestohet i pari. Sot që flasim janë hapur rreth 5 dosje. Pse? Nuk janë rastësi dhe kanë indicie amerikane sepse kanë burimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është zyrtare që ish-shefi i FBI kishte një biznes me dy tropojanët që në vitin 2008 në Shqipëri dhe është fakt juridik që kemi dy akuza dhe jo për korrupsion, por për fshehje parash dhe e dyta falsifikim dokumentesh, dyshohet se ai ka fshehur të ardhurat nga fitimi i biznesit. Pyetja është a ka përfituar Edi Rama dhe ka abuzuar me pushtetin, po sepse ka bërë klering politik./SOT