Aktualitet 5 Gusht 2022, 19:21

Kreu i SPAK “shkund” Beqajn dhe Veliajn: Kemi thelluar hetimet për inceneratorin e Tiranës dhe koncesionet në shëndetësi

Shkruar nga Pamfleti
Kreu i SPAK “shkund” Beqajn dhe Veliajn: Kemi thelluar hetimet

Kreu i Prokurorisë së Posaçme Arben Kraja ka paralajmëruar furtunë nga aferat me koncesionet. SPAK po heton inceneratorët e plehrave dhe koncesionet në shëndetësi dhe duket se po ngushtohet laku për Erion Veliajn dhe Ilir Beqajn.

Kraja ndodhet në SHBA për një vizitë zyrtare dhe në një intervistë për “Zërin e Amerikës” u pyet për koncesionet e mbetjeve. Ai u shpreh se fokusi tani është te inceneratori i Tiranës. Kjo do të thotë se rrezikohet drejtpërdrejt kryebashkiaku i Tiranës.

Çështja e inceneratorëve është shumë komplekse, pasi janë përfshirë shumë institucione shqiptare që kanë qenë pjesë e këtij aktiviteti. Është një volum i madh pune. Kemi 3 hetime për secilin prej 3 inceneratorëve, Elbasanin, Fierin dhe Tiranën. Për dy të parët Fierin dhe Tiranën kemi arritur disa konkluzione që i kemi bërë publike. Kemi vënë përpara përgjegjësisë penale disa persona, përfshirë dhe zyrtarë të lartë. Hetimet vazhdojnë dhe po ashtu për inceneratorin e Tiranës hetimet do vijojnë deri në fund për të sqaruar se çfarë ka ndodhur, kush ka përgjegjësi penale dhe do përgjigjet cilido që ka shkelur ligjin”, tha Kraja.

Ai u pyet dhe për arratisjen e krerëve të kompanive të inceneratorëve, por u shpreh se kjo nuk i ka ndalur hetimet dhe ata nëse kanë përgjegjësi do ndëshkohen.

Gazetarja e pyeti shefin e SPAK dhe për koncesionet në shëndetësi, si ai i Check Up apo i sterilizimit të mjeteve spitalore. Edhe në të rast Kraja paralajmëroi se hetimet janë thelluar dhe asnjë nuk do ja hedhë paq nëse ka zhytur duart.

Po punohet intesivisht, sidomos tani që është plotësuar numri i hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, për të mbledhur provat e nevojshme dhe për të sqaruar, ka përgjegjësi njeri apo jo dhe nëse ka ai person do përgjigjet para ligjit kushdo që të jetë”, tha Kraja. Por më i rrezikuari nga ky hetim është  ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili është thirrur disa herë në SPAK.

Shefi i SPAK u pyet edhe për akuzat e politikës dhe thirrjet e kryeministrit se po godet vetëm majtas. Kraja tha se secili shprehet sipas interesit të tij, por SPAK vepron sipas ligjit dhe nuk ecën me lisat dhe emra të caktuar.

Aktualitet Kraja SPAK Veliaj