Bota12 Shkurt 2023, 14:50

Krimet mjedisore/ Plastika gjermane ka arritur edhe në Arktik

Shkruar nga Pamfleti
Krimet mjedisore/ Plastika gjermane ka arritur edhe në Arktik

Krimet mjedisore/ Plastika gjermane ka arritur edhe në Arktik

Mbetjet plastike janë të pranishme në të gjitha ekosistemet e planetit, e ato kanë arritur madje edhe në rajone të largëta arktike.

Ato janë pak të populluar, dhe njerëz të tjerë vijnë rrallë atje, përveç në anije peshkimi dhe shumë më rrallë – ekspedita shkencore. Por kohët e fundit, udhëtimet turistike në rajonet e Arktikut janë bërë më të shpeshta. Dhe kështu lindi kombinimi i të bukurës dhe të dobishmes.

Turistët dhe shkencëtarët

Ishin turistët e Arktikut ata që si qytetarë shkencëtarë ndihmuan në krijimin e një studimi të publikuar së fundmi mbi mbeturinat në rajonin e Arktikut. Sepse kur bëhet fjalë për analizat shkencore të llojeve dhe origjinës së mbetjeve në rajonet e Arktikut, shkencëtarët janë mbështetur kryesisht në modelet kompjuterike, por të dhënat empirike kanë qenë të pakta – që do të thotë se pothuajse asnjë nga shkencëtarët nuk ka qenë në rajon dhe nuk e ka parë atë me sytë ose duart e tyre, i morën ato mbeturina dhe më pas e analizuan.

Turistët ishin sytë dhe duart e shkencëtarit dhe me pak udhëzime siguruan materialin empirik për studimin e mbetjeve. Objektet u gjetën në 14 plazhe të arkipelagut norvegjez të Svalbard gjatë ekskursioneve të lundrimit midis 2016 dhe 2021, në bashkëpunim me Institutin Alfred Wegener (AVI).

Udhëtime për turistët-qytetarët-shkencëtarët u organizuan nga ciceroni Birgit Lutz, me mbështetjen e ekuipazhit të anijes. Ky bashkëpunim me shkencëtarët u propozua nga ajo, e cila është edhe bashkëautore e studimit, sepse më parë kishte kryer aksione pastrimi të plehrave gjatë ekskursioneve dhe donte të ndihmonte shkencëtarët. Ajo kishte lexuar më parë raportet e mediave për mbeturinat që notojnë në ujërat e Arktikut, frymëzuar nga një botim i vitit 2016 nga bashkëautorja e studimit Melanie Bergman et al.

Një protokoll kërkimi u zhvillua bashkërisht përmes videokonferencave për ta bërë atë të realizueshme për grupet e turistëve të plazhit të Arktikut.

Pjesa më e madhe e mbetjeve lidhet me peshkimin dhe plastikën

Turistë-qytetarë-shkencëtarët mblodhën gjithsej 1.62 ton, ose 23 mijë copë mbetje. Megjithatë, jo të gjitha ishin të përshtatshme për analiza shkencore.

Por mbeturinat mund të përshkruhen si më poshtë: shumica e objekteve, si në numër ashtu edhe në masë, ishin prej plastike (80%), ndërsa pjesa tjetër ishin metale dhe materiale të tjera.

Shumica e mbetjeve (87%) mund t’i atribuohen peshkimit, për shembull mbetjet e rrjetave të peshkimit ose pjesë të kontejnerëve plastikë për peshkun e kapur.

Vetëm një për qind e atyre mbeturinave mund të analizohej sipas origjinës – duke pasur marka tregtare ose etiketa. Turistët e paketuan atë në tre thasë të mëdhenj dhe kjo shërbeu si material empirik për dy shkencëtaret, Melanie Bergman dhe Anna Natalie Mayer.

Tetë për qind e mbeturinave – nga Gjermania

Shumica e këtyre artikujve vijnë nga vendet e Arktikut (65%), veçanërisht nga Rusia (32%) dhe Norvegjia (16%). Por pothuajse një e treta e rasteve (30%) ishin me origjinë evropiane, veçanërisht nga Gjermania (8%). Pesë për qind vijnë nga burime më të largëta – SHBA, Kina, Korea, Brazili dhe vende të tjera.

“Duke qenë se Gjermania është kampione e Europës si në prodhimin e plastikës, ashtu edhe në eksportin e mbetjeve, ky kontribut relativisht i lartë për plehrat nuk është befasi”, kritikon Bergman dhe shton:

“Rezultatet tona tregojnë qartë se edhe vendet industriale të pasura dhe të ndërgjegjshme për mjedisin si Gjermania, të cilat mund të përballojnë menaxhimin më të mirë të mbetjeve, japin një kontribut të rëndësishëm në ndotjen në ekosistemet e largëta si Arktiku”.

Shmangia e mbetjeve dhe përmirësimi i menaxhimit të mbetjeve

Për të trajtuar problemin në mënyrë efektive, menaxhimi i mbetjeve në vend duhet të përmirësohet – veçanërisht në anije dhe në peshkim.

“Ne duhet të punojmë për të siguruar që peshkatarët të mos hedhin mbeturina ose mbetjet e rrjetave të tyre në ujë, që pajisjet e tyre të jenë të shënuara ose që përdorimi i rrjetave tërheqëse të ndalohet sepse ato mund të mbeten atje.”

Të paktën po aq i rëndësishëm është reduktimi masiv i prodhimit global të plastikës, veçanërisht në vendet e industrializuara të Evropës, Amerikës së Veriut dhe Azisë, pasi rreth njëmbëdhjetë për qind e prodhimit të plastikës përfundon në ujë.

“Ai nënvizon edhe një herë urgjencën e Marrëveshjes ambicioze dhe ligjërisht të detyrueshme të OKB-së për plastikën, e cila aktualisht është duke u negociuar dhe do të hyjë në fuqi në vitin 2024”, tha Bergman.

“Studimet shkencore kanë llogaritur se rreth 45 për qind e ndotjes plastike mund të kursehet duke e zëvendësuar atë me materiale të tjera, duke përdorur transportin ose sistemet e ndryshme për karikimin dhe kthimin e paketimit.

Arktiku si një vendgrumbullim plehrash

Mbetjet plastike arrijnë në det nëpërmjet lumenjve dhe transportohen nga rrymat e oqeanit nga Atlantiku, Deti i Veriut dhe Paqësori i Veriut në Oqeanin Arktik.

Studimi tregon gjithashtu se brigjet e Arktikut po ndoten gjithnjë e më shumë. Kjo mund të shihet duke krahasuar të dhënat e reja me hulumtimet e mëparshme. Mbetjet plastike paraqesin probleme shtesë për ekosistemet e Arktikut. Sepse Arktiku po ngrohet katër herë më shpejt se mesatarja globale./DW

Bota