Aktualitet 9 Shkurt 2019, 10:06

Kriteret për reduktimin e tarifave, dokumentet justifikuese që u kërkohen studentëve në nevojë

Shkruar nga Pamfleti
Kriteret për reduktimin e tarifave, dokumentet justifikuese që u

Kriteret për reduktimin e tarifave, dokumentet justifikuese që u kërkohen studentëve në nevojë

Për shkak të problemeve të hasura në dokumentet e paraqitura, fakultetet kanë konfirmuar listën e dokumenteve justifikuese që duhet të dorëzojnë studentët e grupeve në nevojë për të konfirmuar statusin e grupit ku bëjnë pjesë.

Sekretaritë mësimore në fakultetet publike do të vijojnë me procedurat e pranimit të dokumenteve për të gjitha kategoritë e studentëve që plotësojnë kriteret për të përfituar reduktimin e tarifave të studimit, si dhe bursat e akorduara për vitin akademik 2018-2019 nga qeveria.

 

Afatet e dorëzimit të dokumenteve

 

Udhëzimet për dokumentet justifikuese që duhet të ketë një student në nevojë për të vërtetuar statusin e tij i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit, së bashku me institucionin ku duhet të jenë tërhequr këto dokumente.

Afatet e pranimit të dosjes për rimbursimin e tarifave të studimit, apo përfitimin e bursave ndryshojnë nga fakulteti në fakultet. Por sipas autoriteteve të arsimit të lartë, pranimi i dokumenteve do të vijojë deri në datat 15 deri në 18 shkurt sipas fakultetit që studenti ndjek.

Sipas vendimit të miratuar më herët nga qeveria, 10 janë kategoritë e studentëve që kanë të drejtë të përfitojnë nga reduktimi i tarifave dhe bursave të studimit.

Konkretisht, studentë në nevojë konsiderohen: studentët, familjet e të cilëve trajtohen me ndihmë ekonomike, bashkëshortët që kanë fëmijë dhe janë të dy studentë, (të cilit në rastin e bursave do të përfitojnë të dy), studentët, persona me aftësi të kufizuara, të vërtetuar nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar.

Si kategori në nevojë do të trajtohen edhe studentët që i kanë të dy prindërit me aftësi të kufizuara, të vërtetuar me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar.

Gjithashtu pjesë e kësaj kategorie janë edhe të gjithë studentët që i kanë  të dy prindërit pensionistë ose njërin prind pensionist dhe prindi tjetër nuk jeton, studentët, të tretët në radhën e fëmijëve e lart, të cilët vijnë nga familje me tre fëmijë e më shumë, nga të cilët dy të parët janë studentë në institucionet publike të arsimit të lartë.

Nga reduktimi i tarifave dhe bursave do të përfitojnë edhe studentët që kanë përfituar statusin e jetimit deri në moshën 25 vjeç, studentët që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë, deri në moshën 25 vjeç, studentët që janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si viktima të trafikut të qenieve njerëzore, deri në moshën 25 vjeç, si dhe studentët që janë fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës”.

Gjithashtu përjashtohen nga detyrimi për shlyerjen e tarifës vjetore të studimit edhe studentët romë dhe egjiptianë, të cilët do të identifikohen nëpërmjet vetëdeklarimit, si dhe studentët, fëmijë të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist ose fëmijë me prindër të dënuar politikë me heqje lirie.

Përjashtimisht, për vitin akademik 2018-2019, të gjithë studentët e regjistruar në programet e studimeve me karakter profesional, në programet e ciklit të parë të studimeve dhe në programet e integruara të studimeve, të cilët plotësojnë kriteret e këtij vendimi dhe nuk kanë përfituar përjashtim nga tarifat sipas këtij vendimi, me vendim të njësive të vetëqeverisjes vendore apo me vendim të bordit të administrimit të institucionit të arsimit të lartë publik, plotësojnë formularin e kërkesës dhe dokumentacionin provues të plotësimit të kritereve përkatëse për të përfituar përjashtim nga tarifat. Përjashtimi nga tarifat miratohet nga muaji janar 2019 dhe në vijim.

 

Kalimi i bursave

 

Në rastin e trajtimit me bursë bëhet e ditur se bursa financiare që do jetë në masën e 10 mijë lekëve, do  u jepet studentëve përfitues çdo muaj, në llogarinë bankare të deklaruar nga studentët, në bankat e nivelit të dytë, pas konfirmimit të frekuentimit të programit përkatës të studimit nga përgjegjësi i njësisë bazë.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në bashkëpunim me universitetet publike parashikon numrin e pritshëm të studentëve që përfitojnë bursë në periudhën afatmesme dhe efektet financiare, si pjesë e programit buxhetor afatmesëm.

Aktualitet dokumentacione univeritetet bursat