Aktualitet26 Nëntor 2022, 20:58

Kritikat për Portin e Durrësit “shqetësojnë” Alabbar: Akuzat ndaj meje qesharake, jam lodhur nga debatet

Shkruar nga Pamfleti

Mohamed Alabbar, kreu i “Eagle Hills”, kompanisë e cila do të ndërtojë Portin e ri turistik të Durrësit, i është përgjigjur kritikëve në lidhje me këtë investim dhe dyshimeve të ngritura për të.

Alababr u shpreh se e ndoqi debatin që u zhvillua në parlament për projektin dhe theksoi se aty u thanë gjëra qesharake dhe të pavërteta, teksa nënvizoi se me anë të teknologjisë, çdokush mund të kërkojë informacion për të dhe aktivitetet e tij.

Nuk është e nevojshme të flas për gjërat që nuk më pëlqyen, megjithatë ka disa gjëra qesharake, disa pretendime të pavërteta, disa deklarata të pavërteta. Megjithatë, unë si tip nuk iu përgjigjem këtyre gjërave që janë të gabuara. Besoj se sot, me teknologjinë mund të mësosh se kush është Mohamed Alabbar, asgjë nuk është e fshehtë”, tha ai.

Sa i takon debatit që u zhvillua për projektin, Alabbar tha se ishte tepër i gjatë dhe shumë i lodhshëm për të si biznesmen, por shtoi se transparenca për projekte të tilla është i rëndësishme.

Duhet të them se ishte një diskutim i gjatë, i detajuar, ndonjëherë edhe mjaft i lodhshëm, por besoj se duhet të respektuar ligji i vendit dhe duhet të respektojmë gjithashtu transparencë. Më vjen mirë për pozicionin ku jemi sot. Do të thoja që për qëllimet e qeverisjes dhe të transparencës, mendoj se ishte debati më i mirë në botë, por për mua si biznesmen ishte i gjatë, i detajuar dhe i lodhshëm, megjithatë i përgëzoj të gjithë. Mendoj se që të gjithë kanë të drejtë të bëjnë pyetje, të marrin informacion, e gjitha që kërkoj është që njerëzit të tregohen të sinqertë për faktet, se kush jemi, se cilat janë parimet tona të biznesit. Megjithatë, e drejta do të mbetet e drejtë dhe e gabuara e gabuar”, u shpreh ai për “Euronews Albania”.

I pyetur lidhur me akuzat e bëra se në kompaninë e tij ka aksionerë serb, Mohamed Alabbar ka mohuar akuzat dhe është shprehur se në kompaninë e tij nuk ka aksionerë serbë apo nga vende të tjera të rajonit.

Jo, nuk ka aksioner të tillë, unë jam aksioneri kryesor në Eagle Hills, kam disa partnerë nga Abu Dhabi. Edhe këtë mund ta kontrolloni dhe nuk do të gjeni gjë tjetër, iu premtoj. Në fakt, janë vetëm nga dy vende, nga vendi im, unë si Mohamed Alabbar dhe nga Abu Dhabi. Dua të bëj një deklaratë, se nga dita që filluam dhe deri më sot, asgjë nuk ka ndryshuar”, theksoi ai.

Aktualitet Durrësit Porti