Aktualitet18 Shtator 2022, 15:36

Kriza e energjisë dhe pagat 2-5 milionë lekë që marrin drejtorët e KESH, OSHEE, OST dhe ERRE

Shkruar nga Pamfleti

Kriza e energjisë dhe pagat 2-5 milionë lekë që marrin drejtorët e KESH, OSHEE, OST dhe ERRE

“Agallarë” që marrin deri në 10 paga polici/ Këto paga kaq të larta vendosen pa vendim qeverie nga bordet e tyre, kur këto janë kompani publike që i marrin fondet nga shteti. Anëtarë bordesh janë vetë drejtorët dhe zyrtarë të kryeministrisë, ministrisë së Energjisë, ministrisë së Financave e shokë të tyre gjoja “ekspertë” të jashtëm, të cilët miratojnë edhe miliona lekë shpenzime udhëtimesh, ahengjesh, makinash e shpërblimesh nga 3-4 paga në muaj

Ministrja Belinda Balluku po vazhdon fushatën me thirrje drejtuar popullit, për të kursyer energjinë, por nuk bën transparencë për administrimin e miliona Euro energji që prodhohen nga HEC-et shtetërore, për importet, çmimet e shitjes së prodhimit vendas dhe blerjeve përmes importit.

Nuk është bërë transparencë si administrohen miliona Euro, që shteti grumbullon nga të ardhurat e faturave të shitjes së energjisë elektrike.

Po ku përfundojnë këto të ardhura?


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI
Sipas raportit buxhetor të Ministrisë së Financave, 35% e të ardhurave financiare nga energjia, bëhen paga, shpërblime, dieta, makina luksoze e shpenzime të tjera për drejtuesit, zyrtarët dhe punonjësit e 4 kompanive shtetërore.

Po ndalemi vetëm te pagat që marrin drejtuesit dhe zyrtarët e Entit Rregullator të Energjisë, Korporatës Elektroenergjitike, Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Operatorit të Shpërndarjes e Shitjes së Energjisë te konsumtori.

Sipas  të dhënave që ka nxjerrë “Pamfleti”, paga me e lartë në zyrat e Entit Rregullator të Energjisë, është ajo drejtorit Petrit Ahmeti me 4.8 milionë lekë në muaj, e barabartë me dyfishin e pagës mujore të kryeministrit, ndërsa pagat e vartësve të tij janë 4.4 milionë, 4.2 milionë, 3 milionë, 2.2 milionë dhe më e ulëta është 2 milionë lekë.

Sa për kujtesë, këta zyrtarë me paga mujore minimale sa 4 paga polici e paga maksimale sa 10 paga polici, janë ata që vendosin çmimet e energjisë elektrike për popullin, por pa e pyetur popullin, megjithëse ligji i detyron të marrin miratimin e tij paraprak si palë kontraktore.

Me paga milionëshe janë dhe shefat KESH, ku paga e drejtorit Ergys Verdho është 4 milionë lekë në muaj ose sa 8 paga mësuesi, ndërsa pagat e vartësve të tij shefa janë 3.4 milionë, 3.3 milionë, 3 milionë, 2.9 milionë, 2.7 milionë, 2.6 milionë dhe më ulëta është 2.5 milionë lekë.

Shefat e KESH, janë xhambazët që me energjinë e prodhuar nga taksat publike, veprojnë sikur e kanë mall privat, duke e shitur lirë jashtë Shqipërisë dhe e blejnë 5- 10 herë më shtrenjtë brenda ditës e brenda javës, po prej atyre që ua shesin!

Paga të larta kanë dhe shefat e OSHEE, ku paga mujore e drejtorit Adrian Çela është 3.1 milionë lekë, ndërsa pagat e vartësve  të tij shefa sektorësh, janë nga 2.6 milionë lekë e deri te paga më e ulët që është 1.9 milionë lekë.

Dhe shefat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit kanë paga të larta miliona lekë mbi pagat ministrore.

Përveç këtyre pagave, sipas KLSH, kompanitë KESH, OSHEE, OST e ERRE, kanë  punësuar nga 8-10 “këshilltarë” të huaj energjie me paga nga 13-20 mijë Euro në muaj, dhe nga 15-20% punonjës zyrash më tepër se numri i miratuar me ligj, ndërsa shteti nuk ua dikton nivelin e pagave.

Këto paga të larta vendosen nga bordet e tyre, megjithëse janë kompani publike që i marrin fondet nga shteti, ndërsa anëtarë bordesh, janë vetë drejtorët dhe zyrtarë të kryeministrisë, ministrisë së Energjisë, ministrisë së Financave e shokë të tyre gjoja “ekspertë” të jashtëm që firmosin letrat./Pamfleti

Kryesore #kriza e energjisë #OST dhe ERRE #pagat 2-5 milionë lekë që marrin drejtorët KESH OSHEE