Kosova23 Shtator 2022, 10:50

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Foto ilustrim

Nga muaji shtator ka filluar masa e prezantuar nga Qeveria e Kosovës për subvencionim të faturave të energjisë për qytetarët që kursejnë rrymë.

Kjo masë e prezantuar në javën e parë të shtatorit, ka për qëllim përballimin e krizës energjetike me të cilën po përballet vendi.

Masa hyn në kuadër të Pakos për luftimin e inflacionit, me të cilën Qeveria ka ndarë 150 milionë euro.

Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati gjatë prezantimit të Pakos kanë thënë se do të ketë subvencionim të faturave të energjisë elektrike, për ata që kursejnë.

“Do t’i subvencionojmë ata që kursejnë energjinë elektrike. Për aq sa kursehet në raport me të njëjtin muaj të vitit paraprak ne do të subvencionojmë dyfish faturën”, kishte thënë Kurti.

Ndërsa, ministri i Financave kishte njoftuar se masa do të fillojë nga muaji shtator. Por, si do të subvencionohet fatura për ata që kursejnë rrymë?

Faturat e rrymës do të mbështeten me subvencionim prej 20 për qind për secilën familje që ka arritur të shpenzojë më pak kW për orë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Duhet të fillojmë të kursejmë. Këtu patjetër ka mënyra të ndryshme të kursimit. Për shembull, nëse janë shpenzuar 1,000 kW për orë në vitin e shkuar dhe sivjet 900, mund të konsiderohet se është bërë kursim prej 10 për qind. Për këtë përqindje, do ta mbështesim subvencionimin e faturës 20 për qind. Dyfishin e kursimit që e bëjnë qytetarët. Të gjithë qytetarët nuk kanë nevojë të aplikojnë pasi të dhënat janë në Zyrën e Rregullatorit”, ka shpjeguar Murati.

Në fillim të muajit gusht, deputetët e Kuvendit të Kosovës patën votuar vendimin e Qeverisë për vendosjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike.

Sipas arsyetimit, ky vendim është marrë nga gjendja aktuale botërore energjetike,masë kjo që mbetet aktive për 60 ditë.

Prishtine qeveria e Kosovës Subvencionimi i faturave të energjisë elektrike

Kosova