Aktualitet10 Tetor 2022, 16:49

Kriza energjetike, Qeveria merr vendimin: zgjat gjendjen e emergjencës deri më 30 qershor 2023

Shkruar nga Pamfleti
Kriza energjetike, Qeveria merr vendimin: zgjat gjendjen e emergjencës deri

Qeveria zgjat deri më 30 qershor 2023 gjendjen e emergjencës për energjinë elektrike

Qeveria zgjat deri më 30 qershor 2023 gjendjen e emergjencës për energjinë elektrike. Gjendja e emergjencës, e shpallur më 8 tetor 2021, ishte parashikuar që të përfundonte në 31 dhjetor 2022 – për shkak të luftës në Ukrainë.

Mirëpo, përmes një vendimi i ndërmarrë nga Këshilli i Ministrave këtë të shtunë, qeveria ka bërë disa shtesa dhe ndryshime si më poshtë.

Vendimi i Këshillit të Ministrave:

Në vendimin nr.584, datë 8.10.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:

“2/1.Vendosjen e detyrimit të shërbimit publik ndaj prodhuesve me përparësi të energjisë elektrike, që kanë kontratë me shoqërinë “Furnizuesi i tregut të lirë”, sh.a. Këtyre prodhuesve me përparësi i vendoset detyrimi i shërbimit publik për shitjen e energjisë elektrike te shoqëria “Furnizuesi i tregut të lirë”, në përputhje me çmimin e përcaktuar nga Enti Rregullator i Energjisë, në bazë të metodologjisë së miratuar me vendimin nr.687, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e metodologjisë për përcaktimin e çmimit vjetor të blerjes së energjisë elektrike, që do t’u paguhet prodhuesve ekzistues me përparësi”, i ndryshuar, gjatë periudhës së gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike.”.

2. Në pikën 5, fjalët “… 31 dhjetor 2022.” zëvendësohen me “… 30 qershor 2023.”.

3. Në pikën 6, pas fjalëve “… “OSHEE Group”, sh.a., …” shtohen “… FTL, sh.a., dhe ERE …”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Aktualitet krize energjitike Kshilli i Ministrave