Aktualitet 8 Shtator 2022, 22:01

Kriza energjitike dhe kur fjalët thuhen për të kaluar radhën…

Shkruar nga Pamfleti
Kriza energjitike dhe kur fjalët thuhen për të kaluar

Imagjino që ministrat dhe zyrtarët të tregonin histori personale si kursejnë në shtëpi, si kursejnë në vendin e punës, se si kanë gjetur dyqane dhe tregje ku blihet më lirë.

Shkruan Lutfi Dervishi

Kur fjalët nuk shoqërohen me veprime, dhe kur veprimet nuk sjellin rezultate në mendjen të vjen thirrja e Shekspirit. “Fjalë im Zot fjalë”.

Njoftimet e sotme për energjinë elektrike, për rikthimin e dy fashave, për katërfishimin e pagesës për ato që konsumojnë mbi 800 kvw, janë sinjal i qartë që dimri do të jetë i vështirë dhe efekteve të luftës në Ukrainë mund t’i shtohen edhe kapriçot e motit. Pa folur këto për (keq)menaxhimin dhe mungesën e politikave për diversifikimin e energjisë.

Në ditë të vështira, njerëzit shohin çfarë bën qeveria.

6 muaj më parë, më 10 mars në ditët e protestave qytetare, kryeministri premtoi se do të ketë “kursime shumë të forta për qeverinë dhe administratën, të energjisë dhe naftës”.

Edhe në qeveri edhe në administratë premtoi z. Rama do të përdorim shkurtime drastike dhe çdo përdorim mbi atë sasi do të paguhet nga vetë drejtësuesit e administratës

Ndoshta qeveria e ka mbajtur fjalën dhe ka kursyer në maksimum gjatë këtyre 6 muajve, si energjinë ashtu edhe naftën. Por nuk ka asnjë njoftim nga asnjë dikaster për masat e marra, për kursimet e bëra dhe ku kanë shkuar fondet e përfituara nga kursimi.

Ne nuk presim që zyrtarët e qeverisë t’i ngjajnë Gandit dhe të dalin në rrugë në këmbë, me sandale. Askush nuk ua ka kërkuar këtë shërbëtorëve të popullit. Por publiku pret që nëse premton diçka të paktën të thuash se çfarë ke bërë për fjalën e dhënë.

Imagjinoni sa mund të ishte kursyer, për shembull, nëse ministrat bashkë me ekipin e xhirimit të kishin përgjysmuar “inspektimet në kantiere”, që “kanë nisur punën, “që vijojnë punën”, “që punojnë pa pushim”, “që punimet janë drejt përfundimit”, etj etj. Nëse në një rrugë 4 km shkon 14 herë dhe e shet sikur ke shpikur rrotë atëherë vetëm për kursim nuk mund të bëhet fjalë. Rrallimi i inspektimeve do të ishte kursim i vërtetë. Edhe nëse ky mandat do të jetë mandat inspektimesh në kantieret e shumta të hapura, mënyra më e mire për të kursyer është “inspektimi me zoom”.

Imagjino për një moment që ministrat dhe zyrtarët e tjerë të lartë, të përdornin dy makina. Makinën e punës për punë dhe makinën private për gjërat personale. Presidenti De Gaulle i paguante nga xhepi shpenzimet e energjisë në apartamentin e tij në Pallatin Elize. Imagjino që ministrat dhe zyrtarët të tregonin histori personale si kursejnë në shtëpi, si kursejnë në vendin e punës, se si kanë gjetur dyqane dhe tregje ku blihet më lirë. Këto lloj postimesh do të pëlqeheshin jo vetëm nga “ushtria e sufllaqeve” që “duartrokasin” në komente edhe kur shefi/shefja njofton se dikush ka ndërruar jetë.

E thënë thjesht proverbin: “bëni si themi ne, por mos bëni si bëjmë ne” e dinë të gjithë.

Fjalët pa veprime mbeten fjalë!

Forum #kriza e energjisë Dervishi