Bota18 Janar 2023, 19:38

Kriza “mbërthen” korporatat e teknologjisë, Microsoft njofton shkarkimin e 10 mijë personave

Shkruar nga Pamfleti

Korporata e teknologjisë Microsoft njoftoi të mërkurën se do të shkurtonte 10 mijë vende pune, të cilat do ti kushtonin kompanisë një tarifë prej 1.2 miliardë dollarësh, për shkëputjen e kontratave dhe riorganizimin.

Shefi ekzekutiv i Microsoft, Satya Nadella, tha se pavarësisht se shpenzimet e konsumatorëve u rritën gjatë pandemisë COVID-19, tani më shumë po zgjidhnin të tregoheshin “të kujdesshëm”.

Sikurse edhe kompanitë e tjera të teknologjisë, Microsoft pati rritje të biznesit gjatë pandemisë, që u nxit nga puna në shtëpi dhe aktivitetet e tjera online.

Fuqia punëtore e Microsoft u rrit në rreth 40.000 midis periudhës qershor 2021 dhe qershor 2022, kur kjo korporatë raportoi se në total kishte 221.000 punëtorë me orar të plotë, përfshirë 99.000 jashtë Shteteve të Bashkuara. Por, përderisa biznesi u ngadalësua vitin e kaluar, Microsoft nisi të ndërmarrë disa runde shkurtimesh.

Lajmi vjen në një kohë kur prodhuesi i softuerëve është i vendosur të rrisë shpenzimet në inteligjencën artificiale gjeneruese që është pika e re orientimit për industrinë.

Vetëm këtë javë, shefi ekzekutiv i saj i prezantoi “IA” liderëve botërorë të mbledhur në Davos, Zvicër, duke pretenduar se teknologjia do të transformonte produktet e saj dhe do të prekte njerëzit në mbarë globin.

Bota #10 mijë puntorë Microsoft shkarkon