Bota11 Gusht 2022, 16:48

Kriza për ushtarë në vijën e frontit, Putin angazhon “kuzhinierin” për të rekrutuar vrasësit nëpër burgje

Shkruar nga Pamfleti
Kriza për ushtarë në vijën e frontit, Putin angazhon

Ushtria ruse po përballet gjithnjë e më shumë me mungesën e trupave për ti dërguar në vijën e frontit në Ukrainë.

Ka gjithashtu raporte se po rritet numri i ushtarëve që refuzojnë të kthehen në front, kjo ka detyruar Moskën të krijojë batalione vullnetare.

Përballë kësaj krize Putin ka angazhuar njeriun më të besuar të tij, i cili merret me gjithçka këkron “Cari rus”. Yevgeny Prigozhin, i njohur si “Kuzhinieri i Putinit”, është angazhuar personalisht për të marrë dhe rekrutuar njerëz për luftën në Ukrainë.

Prigozhin, një nga oligarkët më të afërt të Putinit, raportohet se ka filluar të rekrutojë të burgosurit nëpër burgjet ruse për të siguruar “burimet njerëzore” të nevojshme, shkruan “The Daily Beast”.

Ndërkohë një i burgosur i cili u takua me të tha: “Ata janë të interesuar në radhë të parë për kriminelët dhe hajdutët, ata i trajtojnë të varurit nga droga me kujdes, si dhe përdhunuesit. Më mirë të mos jenë vrasës të zakonshëm, por njerëz të llogaritur. Do t’ju pëlqejë këtu, na tha. Në përgjithësi, më la përshtypjen e një maniaku”.

I burgosuri shtoi se nuk kishte detyrime, por sërish një numër i madh prej të paktën 200 persona u regjistruan, duke pranuar me entuziazëm ofertën. Të burgosurve do t’u ofrohej amnisti dhe një rrogë në këmbim të shërbimit të tyre.

Ai mendohet se është edhe financuesi i grupit mercenar Wagner, i quajtur gjithashtu “ushtria private e Putinit”.

Gjatë vizitave, Prigozhin, ishte i shoqëruar nga përfaqësues të grupit Wagner. Sipas një miku të një prej të burgosurve, përfaqësuesit e Wagner-it thanë se do të ktheheshin për një vizitë tjetër pas dy ose tre muajsh nëse do t’u mbaronin të burgosurit nga vala e parë e rekrutimit.

Yevgeny Prigozhin i njohur gjithashtu edhe si “kuzhinieri i Putinit”, është një nga njerëzit tek të cilët Putini mbështetet në gjithçka që bën.

Emri i tij doli gjithashtu kohët e fundit në një hetim të CNN që tregonte se ai ishte njeriu kyç në një skemë ruse për grabitjen e arit të Sudanit.

Gjithashtu ai akuzohet nga FBI, për mashtrim dhe konspiracion kundër SHBA-së pasi manjati rus pretendohet se sponsorizoi Agjencinë e Kërkimeve në Internet (IRA), të ashtuquajturën “ferma troll” në Shën Petersburg që dyshohet se ishte përfshirë në ndikimin në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së në vitin 2016.

Bota kuzhinieri rekruton Rusia