Aktualitet16 Korrik 2022, 20:17

Kronika e vdekjes së paralajmëruar të një amnistie

Shkruar nga Pamfleti
Kronika e vdekjes së paralajmëruar të një amnistie

Kronika e vdekjes së paralajmëruar të një amnistie

Sipas mendimit tim, që një amnisti e tillë të funksionojë, duhet së pari të kryhet me konsesus politik ku palët të garantojnë se pas kësaj nuk do të ketë amnisti tjetër. Sepse politizimi i këtyre amnistive i ul besimin tatim paguesit të rregullt dhe shërben si mjet për të rritur evazionin në të ardhmen.

Shkruan Meri Lika

Kryefjala e diskutimeve të muajit të fundit, është drafti i ligjit për Amnistinë fiskale. Amnistitë fiskale në vendin tonë, gjithmonë janë përdorur si mjet për të mbledhur vota gjatë fushatave elektorale si dhe për të mbushur arkën e zbrazur të qeverive.

Sipas mendimit tim, që një amnisti e tillë të funksionojë, duhet së pari të kryhet me konsesus politik ku palët të garantojnë se pas kësaj nuk do të ketë amnisti tjetër. Sepse politizimi i këtyre amnistive i ul besimin tatim paguesit të rregullt dhe shërben si mjet për të rritur evazionin në të ardhmen. Edhe pse me kritika të ashpra nga institucionet partnere dhe mbështetëse, por edhe nga Bashkimi Evropian, qeveria është e vendosur që ta aprovojë këtë draft shumë problematik.

Sipas një vlerësimi të Bankës Botërore të vitit 2021, rreth 30 deri në 35% e ekonomisë shqiptare është informale.
Nisur nga kjo, gjithsecili mund të mendoj se tashmë pas pothuajse tridhjetë vjet tranzicion mund të nevojitet një amnisti e plotë fiskale në mënyrë që t’i japë fund informalitetit, po a mundet kjo lloj amnistie dhe kjo administratë tatimore ta bëj këtë?

Sipas mendimit tim, kjo është një amnisti e cunguar e cila nuk është mbështetur në parimet themelore për amnistitë fiskale të përcaktuara nga institucionet ndërkombëtare të pastrimit të parave.

Task Forca e Veprimit Financiar për pastrimin e parave (FATF), mbikëqyrësi global i pastrimit të parave, ka zhvilluar katër parime bazë të zbatueshme për amnistinë tatimore:

•Asetet e riatdhesuara duhet të depozitohen në një institucion financiar që është subjekt i masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

•Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet aseteve nga vendet që nuk zbatojnë në mënyrë adekuate standardet e FATF.

•Autoritetet duhet të ndërgjegjësojnë institucionet financiare për mundësinë e abuzimit dhe rreziqet e natyrshme në pastrimin e parave.

•Për të përfituar nga amnistia, çdo dokument apo deklaratë mbi pasuritë e riatdhesuara duhet të garantojë legjitimitetin e origjinës së tyre.

Për të treguar problematikat e mëdha që ka drafti i propozuar, do të duhen shumë artikuj por unë në këtë shkrim do të trajtoj problematikën kryesore të saj: hyrjen e parave nga jashtë, duke qenë se marketingu për të po justifikohet me legalizimin e parave të emigrantëve.

Atëherë shumë natyrshëm lind pyetja: Si do ti sjellin emigrantët 2 milion eurot?

Në bazë të kritereve të vendosura nga institucionet ndërkombëtare të pastrimit të parave, FATF por edhe  MONEYVAL ku Shqipëria aderon, hapi i parë që një shtet duhet të hedh në procesin e një amnistie fiskale janë marrëveshjet ndërkombëtare me vendet nga të cilat pritet që t’i hyjnë aktivet.

“Përdorimin e rregullimeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare për rastet kur pasuritë e rëndësishme mbahen jashtë juridiksionit kombëtar dhe synohen të mbulohen nga kushtet e amnistisë.”

Pra me fjalë më të thjeshta, qeveria shqiptare duhet të marrë leje nga vendet ku kanë punuar emigrantët tanë “2 milion eurosh”, që t’i lejojnë këta të fundit të transferojnë në mënyrë të drejtë paratë e krijuara në informalitet dhe që nesër përfituesit nga amnistia të kenë siguri se nuk do të jenë subjekte të trajtimeve evazioniste në vendet e huaja ku punojnë e jetojnë. Është gjëja më normale dhe më serioze të respektohen këto vende të cilëve u mungojnë taksat e punës në të zezë të emigrantëve shqiptar, në të ardhurat e shtetit të tyre.

Arroganca e qeverisë shqiptare, kërkon të anashkalojë krejt këtë proces dhe t’i detyrojë emigrantët të fusin në mënyrë të paligjshme paratë në Shqipëri dhe për më tepër t’i bëj ata të ekspozuar në vendet nga do të sjellin paratë.

Sipas raporteve të institucioneve të përmendura më sipër, nga 47 vende në botë të cilët kanë aplikuar amnisti fiskale me objekt importin e aktiveve të paligjshme nga vendet e tjera, vetëm në 13 prej tyre amnistitë rezultuan të suksesshme. Amnistitë patën sukses vetëm në ato vende të cilat, paraprakisht, firmosën marrëveshje me vendet e tjera nga të cilat prisnin ardhjen e parave (për shembull Italia me Zvicrën).

Nuk ka asnjë diskutim fakti se qeveritë i përdorin amnistinë fiskale për të rritur të ardhurat e tyre në një moment të caktuar krize, për të rritur të ardhurat tatimore në të ardhmen duke përfshirë tatimpaguesit e rinj të cilët në të kaluarën nuk kanë deklaruar disa ose të gjitha pasuritë ose të ardhurat e tyre si dhe të kenë një regjistrim më të saktë të pasurive të evazionistëve e cila e lehtëson taksimin e tyre në të ardhmen.

IFIT (Institute for Integrated Transitions = Instituti për Tranzicione të Integruara) me mbështetjen e FATF dhe FMN-së, ka hartuar një model se si duhet të implementohet një amnisti fiskale në mënyrë që të arrijë qëllimin e saj dhe të jetë e suksesshme.

Fotua në vijim tregon skemën e ndërtuar prej tyre për hapat, kohët dhe proceset që duhet të përfshijë një amnisti fiskale.

Skema tregon qartë se për të bërë të mundur implementimin e një amnistie, koha për këtë implementim duhet të jetë jo më pak se 5 vjet.
Po kështu, skema na bën të qartë se amnistia e propozuar nga qeveria shqiptare nuk ka ndjekur hapat e duhur si dhe nuk ka plotësuar asnjë procedurë për implementimin e saj në mënyrë që të jetë e suksesshme.

Kjo amnisti nuk ka parashikuar:

-asnjë marrëveshje me shtetet nga do të hyjnë paratë,

-se cili do të jetë kuadri i ri ligjor mbështetës

-se cilat do të jenë ndryshimet e legjislacionit ekzistues

-se sa para mendohet të hyjnë nga kjo amnisti

-se cilat janë faktet të cilat na tregojnë se ky është momenti i vitit zero në ekonomi

-se cili është garancia që një parti tjetër nuk do të bëjë të njëjtën gjë

-se çfarë përfiton tatim paguesi i rregullt

-përse tatimi për evazionistin do të jetë 7% ndërkohë që tatimpaguesi i rregullt paguan 23%

etj etj.

Sipas të gjitha gjasave kjo amnisti e vetmja gjë që do të bëjë është të ndihmojë qeverinë të mbush arkën e zbrazur nga korrupsioni i inceneratorëve, PPP-ve dhe tenderave dhe nuk ka për t’i shërbyer aspak ekonomisë, individëve e aq më shumë emigrantëve.

Drafti i saj i cunguar është vetëm KRONIKA E NJË VDEKJE TË PARALAJMËRUAR.

Forum amnistia fiskale ekonomi Korrupsion qeveria Rama taksapagues