Politike13 Dhjetor 2022, 13:22

“Kronikë portretesh dhe heroizmi në Kuvend”, Gjekmarkaj: Nga dashuria e Taos për opozitën te mbërritja e Doktorit si Anteu me kalorësit e tij

Shkruar nga Pamfleti
“Kronikë portretesh dhe heroizmi në Kuvend”, Gjekmarkaj:

Klosi tanimë i dëlirur edhe nga mjekra rri e sheh pa urrejtje e pa dashuri teksa i kalon anash. Tezja erdhi ndenji pak sa për lezet dhe aq pak sa ndenji në këmbë e harxhoi duke i thënë Ulsiut buzëvarur “kam bërë ca petulla të mira me veze do t’i provosh?!”. Po atij as i hahej as i pihej! Kur gjithçka dukej si meshë e përshpirtje ja behu Doktori me kalorësit e tij. Si Anteu që nga toka merrte force ai nga ndodhitë në mes të sallës si Klint Ejsvud siç Lela e tha u shfaq.

Shkruan Agron Gjekmarkaj

I lodhur nga dy festat e partisë dje kisha mëdyshje të madhe në duhet të pushoja apo të shkoja në Kuvend !

Ndjenja e detyrës triumfoi mbi rehatinë personale. Të gjithë ishin si pa zjarrmi, por nuk më mungoi dashuria e Taos, i cili me hodhi atërisht dorën mbi supe që të fiksohej paq nga kamerat dhe mileti ta shihte sa i dashur është me opozitën “properëndimore”.

Dorë e ngrohtë ajo e uruar.

Ndonëse qerrata nga ata që zë lepurin me qerre Tao po jeton kohë të trazuara.

Nuk do ta përshkruaja ditën nëse disa detaje nuk do trokisnin vetë në kronike. Në fillim gjithçka dukej e mpirë dhe pa nerv.

Vetëm Teta Gerta dukej e gëzuar. Herë pas herë çudia tentonte t’ja prishte harenë, por ishte si të zije diellin me shoshe! Foli për vaksinat dhe në fund desh na e bëri nga një me

dorën e vet që ta kishim si kujtim.

As gjylet e Inës dhe as 300 topat e Tritanit nuk ja dolën ta thyenin optimizmin e saj. Kureshtia e bënte tahmaqarë në të pyetur…ç’po thotë ky dhe me pas një e qeshur si martesë e habisë me sigurinë shfaqej mbi bankën e qeverisë.

Madje ajo gjeti kohe të sajdiste dhe Ulsiun e trazuar, i cili që pas largimit të Belës në anën tjetër nuk di ç’është gëzimi. Në një çast u afrua dhe Elisa dukej sikur lavdia e dikurshme ishte kthyer mbi aurën e tij kulturologjike, por mendja dhe shpirti i pushonin gjetke!

Bela u shfaq pak erdhi e iku si meteor me një dosje të madhe në dorë brenda së cilës ishin udhët e vatanit! Pak po na bëri zemrën mal na gëzoi të gjithëve si ëmbëlsira kur goja është zeher. Olta ndien mall për shokun e saj Blinken.

Jorida si nëpër balada kishte ecur dhe nga Shkodra drejt e në sallë ja behu! Nuk ishte e trishtuar si zakonisht, as e pa nge si gjithmonë, as e zënë posaçërisht madje e qeshur dhe gati njerëzore aq sa Kosta, syri i Gramozit dhe Linditës nga lartësi e llozhës shkruante

“Joriden o qerrata

Me shumë mos na e nga

Si sot tërë shend e verë

S’e kam pare asnjëherë”!

Edhe Braçja ja përtonte llafeve dhe ishte bërë muzg! Krifca pa syzet e saj muzeale e shihte me vegim lutës sikur i thoshte; “po ç’ke more i uruar qe nuk te rri goja mbyllur? Lërmë në punën time rixha të kam – s’kam faj unë që kur ishe Zv/Kryeministër firmose për traun në Divjake! Ai një ditë ta zë rrugën”!

Tao e shihte nga sipër dhe mendonte “ah kacamisri i dreqit dhe ti ma ngule një thikë po në të zënça dot guberë do ta bej si tjetër here”. Ish-Kryeministri Majko nuk e pat gjatë në krah Mimi di Puccini por ani beri një muhabet të shtruar e të ëmbël me Bleron, Etildën dhe Anilën, e cila me shikim mosbesues përcjell çdo gjë.

Si Guru i virtytit Majko i qetësoi të gjithë duke u premtuar se ditët e mira pas kësaj do të vinë.

Klosi tanimë i dëlirur edhe nga mjekra rri e sheh pa urrejtje e pa dashuri teksa i kalon anash. Tezja erdhi ndenji pak sa për lezet dhe aq pak sa ndenji në këmbe e harxhoi duke i thënë Ulsiut buzëvarur “kam bërë ca petulla të mira me veze do t’i provosh?!”. Po atij as i hahej as i pihej! Kur gjithçka dukej si meshë e përshpirtje ja behu Doktori me kalorësit e tij. Si Anteu që nga toka merrte force ai nga ndodhitë në mes të sallës si Klint Ejsvud siç Lela e tha u shfaq.

Të gjithë socialistet pyesnin ku është komandant Niko me Çuçin për të na mbrojtur, ku janë gjeneralët, policet ku?

Ata askund dhe deputetet një e nga një u benë def nga sytë dhe mbushen kafenë! Elisa mbet vetëm mes asaj furie. I duhej të shfaqte pikëllim, por edhe force për atë që me 6 Mars ndodhi.

Fjalimet vazhdonin! Fati i buzëqeshi Inës, e cila po rreshtonte prapësitë e qeverisë, Helidon Bushati në zë pre admirimit psherëtinte; “fol Ina, mbro Shqipërinë, anembanë dridh tiraninë”!

Gaz Bardhi si Ali Pasha i rrethuar në kala mblidhte forcat e fundit për rezistencë frontale ndaj Babos, Berishës dhe Bashës. Salianji erdhi hodhi nja dy kova me helm sade dhe iku për të marrë të tjera diku larg. Gjëma e rrethojnë po ai si Oso Kuka lufton. Si dy luftëtarë të plagosur Dash Sula me Saimir Korreshin në kafe fishekun e fundit desh zbrazën.

Dashi me golf pa shamizën e tij të dashur për beteja të reja hazer po behet.

Xhelës që Kamza i kaloi nën mustaqe si mirazh një brengë i rri në shteg të ballit! Të jetë zhgënjim?

Zëvendës Lideri Muli mbajti një fjalim historik. Deri në fund e ndoqa. Pranë me kaloi me dhembje të dukshme në fytyrë e kraharor, por arsyeja politike i triumfoi mbi miqësinë dhe nuk më përshëndeti.

Zëvendësja e Zëvendës Liderit Albana vërtitej sa andej këtej për të karikuar deputetet për qëndresë. Edhe asaj ja lexoj dhembjen për miqësinë e këputur në mes nga sëpata e Doktorit.

Luan Baçi me krenari dhe oratori të ndezur neve që jemi shitur të Rama na bëri helaq në sy të botes. Desh me ra si zali që edhe miku im Luan u rreshtua nga anë e mirë dhe unë mbeta tek vesi. Kur të gjithë u çmobilizuam dhe po gatiteshim nga sytë këmbët për të ikur erdhi Babo, i cili na pa dhe me vetë tha; “more jeziter që nuk dini ç’doni unë robtohem për ju dhe ju qeder me bëni qejfin. Nga sytë e Çurbës ranë dy pika lot mbi fustanin e purpurt të Eni Zakës.

Grida ndërkohë që mos të na lërë lotët të thahen nga ekrani na bën selam. “Si të pashë e më s’të lashë, si të lashë e më s’të pashë o bukura More” na vjen jehu.

Politike agron gjekmarkaj Gjekmarkaj