Detaje të reja janë zbardhur për ngjarjen tragjike të ndodhur pasditen e së mërkurës në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, ku dy të rinj nga Kosova humbën jetën pasi u mbytën në det.
Viktimat janë identifikuar si Leonit Aliu, 22 vjeç, dhe Jetmir Binaku, 23 vjeç. Ndërsa tre të rinj të tjerë, Dion Myftari, Arbër Beqaj dhe Drilon Rrustemi, arritën të shpëtoheshin dhe ndodhen në Spitalin e Lezhës, ku po marrin ndihmë mjekësore.
Sipas burimeve, pesë të rinjtë ishin pjesë e stafit organizativ të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Elektronike “Unum”, i cili nis këtë të enjte në Shëngjin.
Në rrethana që ende po hetohen, ata kanë hyrë në det pavarësisht dallgëzimit të fortë të shkaktuar nga era, duke u përballur me rrezik serioz për mbytje. Rreth orës 16:30, policia është njoftuar për situatën emergjente dhe në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Kufitare, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë dhe ekipet e emergjencës.
Falë ndërhyrjes së disa qytetarëve me jet ski, në bashkëpunim me policinë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e pesë të rinjve. Ata u transportuan me urgjencë drejt spitalit, por dy prej tyre nuk mundën të mbijetonin.
Burime nga policia bëjnë me dije se hetimet janë përqendruar jo vetëm te rrethanat e ngjarjes, por edhe te masat e sigurisë në zonën ku po zhvillohej organizimi i festivalit. Në fokus është nëse organizatorët dhe personat përgjegjës për stafin kishin marrë masat e nevojshme për sigurinë e punonjësve dhe nëse ishin dhënë udhëzime për kushtet e rrezikshme të detit.
Në zonën e plazhit, e cila ishte marrë me qira për zhvillimin e festivalit, dyshohet se mungonin kullat e vrojtimit dhe masat e tjera të sigurisë të përcaktuara me ligj.
Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Trupat e pajetë të Leonit Aliut dhe Jetmir Binakut janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë për kryerjen e ekspertizës, e cila pritet të përcaktojë shkaqet e vdekjes. Pas përfundimit të procedurave, trupat do t’u dorëzohen familjarëve për ceremonitë mortore.
Lini një Përgjigje