TAGS-AT E JAVËS

Kronike 9 Qershor 2026, 13:26

Zhdukja e 34-vjeçarit në Tiranë, arrestohet një person me urdhër të prokurorisë 

Shkruar nga Pamfleti
Zhdukja e 34-vjeçarit në Tiranë, arrestohet një person me
Eglant Koçi

Sipas burimeve mësohet se 34-vjeçari ishte postieri që shkonte te zyrat e këmbimit për të këmbyer kriptomonedhat me cash.

Hetimet për zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçit në Tiranë kanë shënuar një zhvillim të ri, pasi me urdhër të Prokurorisë është arrestuar një person që dyshohet se mund të ketë lidhje me ngjarjen.

Mësohet se i arrestuari me urdhër të Prokurorisë është Enea Zyferi, i cili dyshohet se ka përkrahur autorin e krimit.

Ndërkohë është identifikuar një 41-vjeçar i cili dyshohet se ka rrëmbyer dhe mabjtur peng Eglant Koçin.

Familja e të riut denoncoi zhdukjen e tij më 4 qershor, duke deklaruar se prej dy ditësh kishte humbur çdo kontakt me të. Sot, familjarët kanëmë shumë se shtatë ditë pa asnjë informacion për vendndodhjen e Koçit.

Sipas deklarimeve të bëra nga të afërmit, Eglant Koçi nuk kishte konflikte apo probleme.

Sipas burimeve mësohet se 34-vjeçari ishte postieri që shkonte te zyrat e këmbimit për të këmbyer kriptomonedhat me cash.

Pamjet e fundit të siguruara nga kamerat e sigurisë e shfaqin të riun në zonën e Sheshit Wilson në Tiranë. Në këto imazhe ai shihet pranë motorit të tij dhe afër një automjeti ngjyrë gri, tip "Toyota Corolla", që tashmë është bërë pjesë e verifikimeve të grupit hetimor.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se arrestimi i personit është kryer në kuadër të veprimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për të përcaktuar lëvizjet e fundit të Eglant Koçit dhe për të hedhur dritë mbi rrethanat e zhdukjes së tij.

"Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe operacionale të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në drejtimin e Prokurorisë, pas kallëzimit të bërë më datë 05.06.2026 nga familjarët e shtetasit E. K., 34 vjeç, për humbjen e kontakteve me të, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit A. Sh., 41 vjeç, i cili dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit, identifikimi dhe kontrolli i ambientit ku është futur 34-vjeçari, ambient nga i cili më pas ka dalë autori i dyshuar dhe mund të ketë marrë me vete, me automjet, 34-vjeçarin.

Është ushtruar kontroll i imtësishëm në ambientin e dyshuar, ku dyshohet se mbahej peng 34-vjeçari, si dhe në shumë ambiente të tjera dhe në terren, por deri tani nuk është bërë e mundur gjetja e 34-vjeçarit.

Po nga veprimet hetimore ka rezultuar gjithashtu se autori i dyshuar ka larguar motomjetin e 34-vjeçarit nga vendi ku ishte parkuar fillimisht.

Automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar 34-vjeçari, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi E. Z., 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin në këtë rast.

Shërbimet e Policisë po vijojnë intensivisht kërkimet për gjetjen e shtetasit E. K. Ndërkohë, po punohet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

Duke qenë se hetimet janë në vijim, për të mos cenuar ecurinë e tyre, bëjmë me dije se në këtë fazë nuk mund të bëhen publike të gjitha rezultatet e hetimit. Në vijim, do të jepet informacion më i plotë sipas ecurisë së hetimeve", njofton policia.

 

zhdukja e eglant kocit

Lini një Përgjigje