Bota14 Janar 2023, 10:46

Kryeqyteti ukrainas zgjohet nga shpërthimet, forcat ruse rinisin sulmet me raketa në Kiev

Shkruar nga Pamfleti

Një seri shpërthimesh tronditën Kievin të shtunën në mëngjes, pasi forcat ruse nisën një sulm me raketa në kryeqytetin ukrainas.

Infrastruktura kritike në Kiev ishte në shënjestër, tha në Telegram nënkryetari i zyrës presidenciale të Ukrainës, Kyrylo Tymoshenko.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha se shpërthimet u dëgjuan në lagjen Dniprovskyi të qytetit, gjithashtu shtoi se fragmente të një rakete ranë në një zonë jo të banuar në lagjen Holosiivskyi. Ndërkohë që deri më tani nuk raportohet për viktima nga sulmet e sotme.

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse disa objekte në Kiev ishin në shënjestër apo vetëm ai që u raportua se ishte goditur. Kryeqyteti ukrainas nuk është sulmuar me raketa që nga nata e Vitit të Ri, 1 janar.

Më herët të shtunën guvernatori i rajonit të Kharkiv, njoftoi se dy raketa ruse goditën qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.

Oleh Syniehubov tha se forcat ruse hodhën dy raketa S-300 në zonën industriale të Kharkiv. Sulmet kishin në shënjestër objektet energjetike dhe industriale të Kharkiv dhe rajonit periferik. Edhe në Kharkiv nuk është raportuar për viktima, por ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike.

Sulmet vijnë mes raporteve kontradiktore mbi fatin e qytetit të kontestuar ashpër të minierave të kripës, Soledar, në lindje të Ukrainës. Rusia pretendon se forcat e saj kanë pushtuar qytetin, një zhvillim që do të shënonte një fitore të rrallë për Kremlinin pas një sërë pengesash poshtëruese në fushën e betejës.

Bota Kiev Sulm