
Frrok Çupi
Ditën e djeshme SPAK vendosi dërgimin për gjykim të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediut, ndërkohë njoftoi se ka ndarë çështjen lidhur me procedurën e shitjes së municioneve luftarake.
Teksa kanë kaluar 15 vite nga tragjedia e Gërdecit, Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, duket se është përballë padisë së re nga drejtësia e re.
Kjo lëvizje për analistin Frrok Çupi është një moment kthesë i cili përçon mesazhin se askush nuk është i pandëshkueshëm, përfshirë dhe ish-kryeministrin Sali Berisha dhe familjarëve të tij.
Ai nuk përjashtoi mundësinë që mund të ketë persona të arrestuar nga familja e ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Ky moment shënon kthesë, të parën, me të rëndësishëm në politikën e drejtësisë. Përfundojnë më në fund kalvaret e shqiptarëve se disa janë të pandëshkueshëm dhe disa të ndëshkueshëm. Përfundon një histori e fshehtë dhe tani dalin të gjitha në shesh. Mund të shikojmë pas kësaj, një histori të tërë krimesh 30 vjeçare. Jemi para faktit që familja e kryeministrit të korruptuar botërisht do të dënohet në gjyq, dhe padyshim i ndëshkuar, sipas akuzë. Do të shkojmë në pranga “fajtorë të mëdhenj” të familjes së kryeministrit dhe vetë kryeministrin. Besoj se fajtori më i vogël është ministri që u thirr në SPAK (referuar ish-ministrit Fatmir Mediu)”, tha Çupi.
SPAK njoftoi se ka dërguar ish ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun, për gjykim në Gjykatë e Posaçme për rolin e tij në skemën e korrupsionit vdekjes në Gërdec, me pasojë 26 jetë humbura dhe dhjetëra të plagosur.
Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të dyfishtë në bashkëpunim, sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak.
Në njoftimin e SPAK-ut ka dy detaje që rrezikojnë pozitat e Shkëlzen Berishës.
Së pari, Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre në bashkëpunim, referuar nenit 25 të Kodit Penal. Neni 25 parashikon se “bashkëpunim quhet kryerja e veprës penale nga dy ose më shumë persona me marrëveshje ndërmjet tyre”.