Bota14 Shkurt 2022, 19:39

Ku Klux Klan, historia e organizatës që ka ushqyer urrejtjen ndër-racore në SHBA

Shkruar nga Pamfleti
Ku Klux Klan, historia e organizatës që ka ushqyer urrejtjen

Ku Klux Klan, historia e organizatës që ka ushqyer urrejtjen ndër-racore në SHBA

Anëtarët e KKK-së së parë e konsideronin veten rojtarë. Detyra e tyre? Të ruanin hegjemoninë supremaciste të të bardhëve anglo-saksonë dhe protestantë nga afro-amerikanët e çliruar nga skllavëria në shtetet ish-separatiste të jugut. Por këta të fundit nuk ishin objektivi i vetëm. Ku Klux Klan ushtroi të njëjtën dhunë mizore kundër simpatizantëve të sindikatave dhe Linkolnianëve, mbështetësve të linjës së ish-presidentit të ndjerë Abraham Linkoln.

Shkruan Pietro Emanueli

Kryqe në flakë, veshje të bardha, dhe një dhunë e shfrenuar e kanë kristalizuar Ku Klux Klan në imagjinatën kolektive të amerikanëve, duke e bërë atë sinonim të vdekjes dhe terrorit. Por nga ana tjetër e kanë popullarizuar atë në pjesën tjetër të botës, duke njollosur në mënyrë të pashlyeshme historinë e demokracisë më të madhe multiracore në botë: atë të Shteteve të Bashkuara.

Sot nuk është veçse një hije e asaj që ka qenë dikur, një kartolinë e zverdhur e një epoke sa të afërt aq edhe të largët. Megjithatë studimi i origjinës dhe motiveve të Ku Klux Klan është edhe më i nevojshëm. Sepse nëse është e vërtetë që Amerika nuk është Ku Klux Klan, është po aq e pamohueshme që ajo ishte dhe është mishërimi maksimalist i ligësisë dhe i fobive të një fraksioni aspak të parëndësishëm të shoqërisë amerikane, hiperkonservatore, nativiste, prohibicioniste dhe puritane.

Edhe pse Ku Klux Klan (KKK) përshkruhet si një organizatë e vetme,e vërteta historike është shumë më komplekse dhe e shumanshme. Në fakt janë 3 organizata. Historia e KKK-së së parë dhe origjinale, fillon në Pulaski të shtetit të Tenesit, në prag të Krishtlindjeve të vitit 1865.

Organizata u themelua dhe përbëhej nga veteranë të Luftës Civile, kryesisht me origjinë dhe frymëzim nga Konfederata, ose Jugu i SHBA-së, që synonte të promovonte vlerat e amerikanëve të bardhë me origjinë evropiane gjatë Epokës së Rindërtimit.

Anëtarët e KKK-së së parë e konsideronin veten rojtarë. Detyra e tyre? Të ruanin hegjemoninë supremaciste të të bardhëve anglo-saksonë dhe protestantë nga afro-amerikanët e çliruar nga skllavëria në shtetet ish-separatiste të jugut. Por këta të fundit nuk ishin objektivi i vetëm. Ku Klux Klan ushtroi të njëjtën dhunë mizore kundër simpatizantëve të sindikatave dhe Linkolnianëve, mbështetësve të linjës së ish-presidentit të ndjerë Abraham Linkoln.

Ata donin të shmangnin me çdo kusht dhe mjet, që skllevërit e sapo-çliruar të përdornin të drejtat e fituara papritur, për të krijuar një lëvizjeje politike që synonte emancipimin real dhe integral të tyre.

Epoka e linçimeve dhe sulmeve me bomba kundër kishave protestante të zezakëve, ishte ende e largët, pasi KKK-ja e parë praktikonte më shumë rrahjet. Por pa një organizim të centralizuar, dhe pa liderë karizmatikë, KKK pësoi me kalimin e kohës një rënie graduale dhe të pashmangshme.

Kjo ndodhi edhe falë rekrutimit të banditëve dhe kriminelëve, të cilët duke qenë më shumë të interesuar për aktet sadiste si qëllim në vetvete sesa për politikën, tërhoqën vëmendjen dhe antipatinë e autoriteteve dhe ligjvënësve.

Për shkak të dhunës kundër afro-amerikanëve, të kryer nga skuadrilje me veshje të bardha si fantazmat, si dhe përpjekjeve për të destabilizuar qeveritë e shteteve jugore, KKK nisi të trajtohej nga viti 1871 si një organizatë terroriste, kur dhe u miratua Akti mbi Ku Kux Klan.

Historia e KKK-së së dytë fillon në Malin e Gurit në vitin 1915. Ideja e ringjalljes së lëvizjes raciste erdhi nga predikuesi fetar Uilliam Simons. Në fillim ajo ishte e përkushtuar më shumë ndaj prozelitizmit sesa dhunës ndërracore. Ajo nuk predikonte as supremacizmin dhe as nostalgjinë mbi Konfederatën jugore, por puritanizmin e Etërve pelegrinë, dhe nativizmin e patriotëve amerikano-veriorë të shekullit XIX.

Ajo ishte epoka e përpjekjes për të ndalur valët të reja migratore të italianëve, irlandezëve, polakëve dhe hebrenjve. E formuar nga botëkuptimi i themeluesit të saj, një fondamentalist protestant, KKK-ja e re investoi shumë para në zhvillimin e “fushatave morale” që kundërshtonin integrimin e hebrenjve dhe katolikëve në shoqëri.

Nga kjo e fundit erdhi edhe djegia simbolike e kryqeve latine, pra atyre të lidhura me Katolicizmin. Nga mesi i viteve 1920, në kulmin e popullaritetit të saj, KKK pretendonte se kishte më shumë se 4 milionë anëtarë. Fundi i kësaj organizate nuk do të vinte as nga mungesa e lidershipit dhe as nga rekrutimi i banditëve, por nga një ndarje e brendshme.

Në vitin 1923, duke kundërshtuar qasjen paternaliste dhe paqësore të Simons, DejvidStefenson udhëhoqi një fraksion të rëndësishëm, që propagandonte haptazi dhunën ndërracore. Po as radikalizmi i tij nuk e shmangu shpërbërjen e KKK-së së dytë.

Nga më shumë se 4 milionë anëtarë në vitin 1924, Ku Klux Klan do të ndiqej nga vetëm 30 mijë ithtarë në vitin 1930. Organizata pushoi zyrtarisht së ekzistuari në vitin 1944. Historia e KKK-së së tretë (dhe të fundit) filloi në vitin 1946. Protaganist ishte Samuel Grin, që atë vit drejtoi një ceremoni inauguruese në Malin e Gurit, një shenjë e vazhdimësisë me të kaluarën, duke e rithemeluar organizatën.

Fillimisht e përqendruar në shtetin e Xhorxhias, dhe jo pa probleme në menaxhim, KKK-ja e re do të ishte në gjendje të zgjerohej në nivel kombëtar. Por famën e dikurshme do ta rifitonte vetëm pas vitit 1959, kur në krye të saj erdhi Roi Dejvis, një veteran i kauzës supremaciste që në vitet 1910-1920, kishte shërbyer në urdhrat e predikuesit Simmons.

Ai hapi degë në shtete të ndryshme dhe rriti ndjeshëm ndjekësit. Por klima socio-politike e kohës ishtte në kundërshtim me planet e tij. Ishin vitet 1960, të Protestës së Madhe, vrasjes së Kenedit dhe mbi të gjitha vitet e Lëvizjes për të Drejtat Civile të afro-amerikanëve.

Shumë shpejt, për shkak të mosmarrëveshjeve se si duhej të përballej me lëvizjen e komunitetit afrikano-amerikan, KKK do të niste të përçahej. Në kulmin e popullaritetit, midis viteve 1960-1970, KKK kishte të paktën 30 mijë anëtarë dhe 250 mijë simpatizantë. Secili prej fraksioneve kishte liderin e vet, dominonte një shtet të caktuar dhe u përpoq të zgjerohej në shtetet e tjera. Por në planin ideologjik nuk kishte asnjë dallim: mjeti ishte lufta e armatosur, dhe synimi ishte mbajtja e afro-amerikanëve në qytetarë të dorës së dytë.

Dhuna e organizuar ishte tipari dallues i asaj epoke, me sulme shpeshherë pa dallim si ndaj zezakëve po ashtu edhe të bardhëve që mbështesnin kauzën e tyre.

Epoka e artë e KKK-së së tretë ka hyrë në histori për sulmet me bomba në kishat e protestantëve zezakë, për sulmet ndaj banesave të tyre, për linçimet dhe për vrasjen e aktivistëve politikë. Dhuna e shfrenuar me sfond racist e viteve 1960-1970, e nxiti Shtëpinë e Bardhë të vepronte ashpër dhe me vendosmëri. Që nga vitet 1980 e deri më sot, KKK ka degraduar në një grupim fraksionesh që kanë nga 3-8 mijë anëtarë./ Marrë me shkurtime “Il Giornale” – Bota.al

Bota #race histori Ku Klux Klan organizatë SHBA Urrejtje