Aktualitet 1 Tetor 2022, 09:53

Kullat në kryeqytet, justifikohet Rama: "Syrin e Tiranës" e gjobitëm 1.3 mln euro, gjykata na rrëzoi

Shkruar nga Pamfleti
Kullat në kryeqytet, justifikohet Rama: "Syrin e Tiranës" e

Edi Rama

Në një komunikim në Facebook, kryeministri Edi Rama zbuloi sot se pallati “Syri i Tiranës” në qendër të kryeqytetit u gjobit me 1.3 mln euro, por gjykata e rrëzoi.

Rama tha se gjobën që vendosi IKMT-ja për kompaninë “Ideal Construction” e rrëzoi gjykata.

Sipas kryeministrit, ky vendim  e mbushi kupën dhe shtyu qeverinë të miratojë aktin normativ për të sekuestruar katet pa leje.

“Publikova dokumentin e kallëzimit në prokurori të kompanisë. Tani po u jap një dokument tjetër, dënimi me gjobë i kësaj kompanie për 4646 metra të ndërtuara për qëllim fitimi jashtë lejes. Është një dënim me gjobë dhe gjoba është sipas ligjit për m2, e kemi përcaktuar vetë.

Shuma ishte 160 milionë e kusur, ose 1.3 mln dollarë. Kjo gjobë u vendos në qershor. Urdhëroni tani se çfarë ka ndodhur. E çojnë në gjykatë gjobën dhe gjykatësi rrëzon shtetin. Një gjykatës i verbuar. Unë besoj i verbuar nga paraja, por nuk jam nga ata që ngre akuza pa prova. I pa denjë. Fare. Fare, fare. I thotë shtetit “JO”.

Ndërkohë që gjobën e ka ligji dhe jo inspektorati. Ky ishte rasti që derdhi kupën dhe na detyroi të futemi me vendimin e fundit të qeverisë që të mos ketë mundësi të futet asnjë prokuror dhe gjyqtar në mes. Po jap edhe një tjetër shembull.

IKMT ka kallëzuar penalisht të gjithë këtë periudhë 40 subjekte ndërtuese, 18 kryetarë bashkish dhe komunash, jo vetëm të palës tjetër, por edhe të PS-së, 12 drejtorë urbanistike, 25 krye-inspektor, 2 drejtor ALUIZNI dhe 4 anëtarë të këshillit të rregullimit të territorit. Sa kanë shkuar nga këta para ligjit? Asnjë. Të gjithë dosjet i zuri myku në prokurori” tha Rama.

Më tej në komunikimin e tij, Rama thotë se nuk fshihet ai pas ndërtimit të kullave, ku janë konstatuar kate pa leje.

Teksa iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve, Rama u shpreh se nëse do t’i lejonte ndërtuesit të ndërtonin kulla pa leje, do t’i merrte për vete dhe jo për shtetin.

Rama deklaroi se konfiskimi po ndodh për herë të parë, pasi atë nuk mund ta korruptojë askush me para.

“Po të ishte puna për ndërtime pa leje, nuk e di sa vende bosh janë pas meje, për të filluar për të numëruar se kush ka luftuar në këtë vend për ndërtimet pa leje. Po të isha unë pjesë, do t’i lejoja t’i ndërtoja dhe në fund do t’i merrja për vete, jo për shtetin.

Kjo nuk ka pikë logjike. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë dhe ndodh sot për një arsye të thjeshtë, mua nuk më kap dot askush me para dhe për mua paraja nuk vjen asnjëherë e para. Të tjerat janë fjalë, faktet janë fakte”, theksoi ai.

Kryesore Ndertimet pa leje Rama