Editorial 4 Shkurt 2023, 12:29

Kur çështja kombëtare merr për mbarë

Shkruar nga Pamfleti
Kur çështja kombëtare merr për mbarë

Kur çështja kombëtare merr për mbarë

Sido që të jetë çështja e asociacionit, disi e përballojmë me lajmet më të reja nga BBV: Kiara e puthi sërish Luizin!

Shkruan Fadil Lepaja

Shumë nga çështjet me rëndësi kombëtare për Kosovën po qartësohen. Për shembull Luizi e qartësoi marrëdhënien e tij, kombi ra rehat. Mund të thoni punë e madhe, por nuk keni të drejtë, pasi e parë nga publiciteti kjo ishte top- tema, që përbënte shqetësimin më të madh kombëtar. Shumë më tepër sesa çështja e asociacionit, apo …

Ishte pa konkurrencë!

Ai dhe ajo, u puthën. Bënë edhe dasmën. Fundja edhe politika kështu i bën festat, improvizon për ta (sh)qetësuar popullin. Argëtimi, or vëlla, kërkohet…

Edhe presidenti serb, i argëtoi serbët. Me këtë kontribuoi edhe për çështjen tonë.  Ai i cili shumë herë i etiketoi kosovarët si ekstremistë,  kësaj radhe u sulmua nga ekstremistët e djathtë në parlamentin e Serbisë, pikërisht  lidhur me çështjen e Kosovës. Tha se duhet gjetur një kompromis. E sulmuan në parlament.

Por, pa shqetësim,  nuk e sulmuan shqiptarët, sepse në parlamentin serb nuk ka vende të rezervuara për shqiptarët, ashtu siç i kanë në Kosovë, serbët.

Pastaj, sikurse opozita në Kosovë, edhe ajo opozita serbe i bënë publicitet “vetëvendosjes”. U fol gjithçka. Disa serb u akuzuan se janë mercenarë të “Vetëvendosjes”. Paguhen nga Vetëvendosja.

Pas kësaj, u ftillua edhe çështja e asociacionit. Kryeministri njëherë tha se nuk mundet, pastaj mundet… vetëm me disa (6) kushte. Nuk është e qartë nëse e ka me hile, apo nuk ka rrugë tjetër. Me ato kushte ka shumë gjasë se vet serbët nuk do ta duan asociacionin, pasi  Ahtisari ishte më i favorshëm.

E ku është përparimi kombëtar në këtë çështje do të thoni?

Pikërisht këtu, kur serbët e refuzojnë atë që kërkon Beogradi. Do e bëjnë?

Por as kjo nuk është tema kryesore e javës. Disa thonë se, nëse Hashimi ishte “gjarpër” politik, ky është bërë “ngjalë”. Sapo thonë e kapëm, pas pak thonë nuk e kapëm. U rrëshqet nga duart. Por një deputet e ka kapur për …deklarate.

“E ke lavdëruar Ivanoviçin, kërko falje”  po i thotë.

Oliveri, ndjesë pastë, iku duke lënë pas vetes shumë mjegull. Ishte kriminel apo viktimë? E vranë, ende pa u vërtetuar dyshimet për krime lufte ndaj shqiptarëve. ”Xhelati” i dyshuar u bë viktimë. Ky rol nuk është i dyshimtë. Kësaj radhe dyshimi ra mbi vet (pu)shtetin serb. Pastaj, me inerci, armiku i armikut u bë…armë politike në duart e opozitës.

Opozita, sidomos disa nga deputetët më toksikë, janë kapur pas idesë se kryeministri duhet me patjetër të kërkojë falje, pasi ka lavdëruar një të dyshuar për krime lufte. Nuk pranojnë as të drejtën të trajtohet si viktimë.

Nëse kryeministri ka gabuar me deklaratën e tij për Oliver Ivanoviçin, kjo i bie se deputetët e opozitës nuk po e gjykojnë një vrasje në tokën e Kosovës?

A duhej kryeministri të lavdëronte vrasësit?

A mundte kryeministri të shprehte pajtim publik me ekzekutimin e një politikani, në territorin e vendit të tij?

Është e paqartë se ku synohet me këtë kërkesë për kërkim falje! 

Nëse kryeministri vërtetë nuk po sillet më siç sillej në opozitë,  nuk mund të thuhet njëjtë për opozitën e cila po vazhdon të sillet si në pushtet. 

Por, a mund të ndodhet një person në dy role njëkohësisht, pra përpara historisë?

Për shembull, a mund të ketë njerëz me gabime para lufte dhe me vepra të mira pas lufte, apo anasjelltas?

A mund të ndryshojë njeriu kur ndryshojnë rrethanat?

A mund të shndërrohen kriminelët në viktima dhe viktimat e dikurshme në kriminelë?

A mund të gabojnë heronjtë dhe a munden të ndërrojnë njerëzit?

Shoqëria kosovare, pozita dhe opozita, padyshim që janë të ngurtë lidhur me këto tema.

A duhet të ndërrojë realiteti apo pikëpamjet fillimisht? Po ta bënim vetë, do të na duhej ndërmjetësimi ndërkombëtarë?

Sido që të jetë çështja e asociacionit, disi e përballojmë me lajmet më të reja nga BBA: Kiara e puthi sërish Luizin. Harro Kadarenë, nga viti i ardhshëm kryeministri shqiptar do të kujdeset për ditëlindjen e Luizit.

Përndryshe si shoqëri e kemi dëshmuar, se nuk e durojmë dhunën. Sidomos jo  ndaj djemve. Po, Kejvina ishte viktimë e lojës apo …mendësisë?/Pamfleti

Editorial “Pamfleti” #Kur çështja kombëtare merr për mbarë Asociacioni luiz ejlli

Editorial