Dosja e zezë10 Nëntor 2022, 16:19

Kur do zbulohen spiunët në politikë? Bajram Begaj harron të dekretojë ligjin për hapjen e dosjeve të Sigurimit

Shkruar nga Pamfleti
Kur do zbulohen spiunët në politikë? Bajram Begaj harron të

Më 21 tetor, u bë miratimi i ligjit në Parlament dhe më pas ai shkoi te Presidentit për dekretim, por deri më tani nuk ka asnjë vendim nga ana e kreut të Shtetit nëse do e dekretojë apo do e kthejë për rishqyrtim.

Presidenti Bajram Begaj ka harruar të dekretojë ligjin për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. PS dhe PD miratuan me konsensus ndryshimet në “Ligjin nr. 45/2015 për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, përmes të cilit do të zbulohen spiunët në politikë, por jo vetëm.

Përveç ish-presidentit Ilir Meta që flitet se ka bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit, janë dhe 5 emra të tjerë që kanë mbajtur poste publike.

Por edhe pse u miratua me bujë të madhe ligji, ai ende nuk po dekretohet nga presidenti. Më 21 tetor, u bë miratimi i ligjit në Parlament dhe më pas ai shkoi te Presidentit për dekretim, por deri më tani nuk ka asnjë vendim nga ana e kreut të Shtetit nëse do e dekretojë apo do e kthejë për rishqyrtim.

Sipas Kushtetutës, presidenti ka 20 ditë afat të bëjë dekretimin e ligjit dhe nëse nuk flet, atëherë ai kalon në heshtje. Në fund të kësaj jave plotësohet afati 20 ditor dhe mbetet të shihet nëse Begaj do shprehet apo do vendosë të mos ngatërrohet me punët e spiunëve.

Por kur do nisë zbatimi ligjit? Pas publikimit në Fletoren Zyrtare, ligji do 15 ditë të hyjë në fuqi. Pra nëse Begaj nuk e kthen ligjin, ai do hyjë në fuqi në fund të këtij muaji. Kjo do të thotë se në dhjetor Autoriteti i Dosjeve ka të gjithë të drejtën që të nisë procedurat për të hapur dosjen për Ilir Metën dhe emrat e tjerë që kanë bashkëpunuar me Sigurimin dhe janë ende në politikë apo funksione shtetërore.

Vetë Autoriteti i Dosjeve informoi se me miratimin e ligjit, të dhënat do bëhen publike në faqen zyrtare në internet. Pra, edhe pse Begaj i dha disa ditë më shumë frymëmarrje paraardhësit të tij, është e qartë se Ilir Meta nuk shpëton dot nga damka e “spiunit”. /Pamfleti

Dosja e zezë e maskaradës politike 30 vjeçare #Begaj Dosjet Meta