Aktualitet23 Gusht 2022, 15:20

Kur na mungon fuqia për të heshtur!

Shkruar nga Pamfleti

Kur na mungon fuqia për të heshtur!

Kur na mungon fuqia për me heshtë nxitojmë me u ba klerikë të etikes, gishtdrejtues të bindun që të tjerët janë trushkulun dhe kujtesën e kanë të shkurtër sa gjumin e pasdites. E shkuara lyp akte dhe jo fjale. Kur s’kena fuqi me ba akte se paku të mos bajmë zhurmë me tinguj akustik që u ndyjnë amëshimin të rënëve.

Shkruan Agron Gjekmarkaj

Në çdo ditë përkujtimore ka një nxitim për të folur, për të thënë diçka, për të qenë në rregull, për të bërë detyrën !! Një mbështjellje e banalitetit me folklorin patetik, e hipokrizisë me padobinë, e paturpësisë me pandjeshmërinë, e përdorimit me interesin, shpërthen si kanalet e ujërave të zeza mbi pasardhësit e viktimave të komunizmit, të ish të persekutuarve politike, mbi vetë të shkuemen, në çdo datë me shenjë siç është edhe e sotmja “dita përkujtimore e viktimave të regjimeve totalitare”!

Komunistë, ish komunistë, pragmatisë, kodoshë e hajdutë, levantinë, bizantinë, spiunë, ish spiunë, njerëz për të cilët historia është lopë me u mjelë si postet që kanë pasur e kanë, turren t’u lypë drejtësi për viktimat e martiret, t’u thure lavde e ditirambe, t’u ba gjykime e premtime, t’u akuzu e coptu, pas 32 vitesh liri, t’u sha e t’u ba copash diktaturën me fjalë kinse si gjyle ndaj së keqes të pafuqishëm

moralisht me heshtë.

Shumë prej tyre kulturalisht e fizikisht bijë të saj, kanë pasë një herë mundësi me ba diçka për ta e se kanë ba, kanë pasë pushtet e janë rrotullu në opozitë e prapë në pushtet e kështu me radhë. Gjithmonë kanë humbë një rast me ba një të mirë, me vu diçka në vend, me

ndreq një padrejtësi, më ndërtu një shembull, me ba akte e jo fjalë dhe në çdo rast ka triumfu përdorimi politik, ligjërimi prej kauçuku mbi thelbin e së shkuemes që kushtëzon të tashmen dhe të ardhmen.

Të paktën një herë të vetme të kishin me mbyllë gojën e me i lanë viktimat a heronjtë në paqen e tyre , familjaret në përshpirtjen e tyne të dhimshmne, shoqninë në ndërgjegjen e vet të vramë, kohën në qetësinë që humb nga pëllitjet njerëzore!!

Kur na mungon fuqia për me heshtë nxitojmë me u ba klerikë të etikes, gishtdrejtues të bindun që të tjerët janë trushkulun dhe kujtesën e kanë të shkurtër sa gjumin e pasdites. E shkuara lyp akte dhe jo fjale. Kur s’kena fuqi me ba akte se paku të mos bajmë zhurmë me tinguj akustik që u ndyjnë amëshimin të rënëve.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Forum agron gjekmarkaj