Aktualitet 1 Shtator 2022, 10:06

Kur protestat të mos bëhen më për ‘sy e faqe’

Shkruar nga Pamfleti

Nga: A. Husha

Rasti tronditës i përdhunimit të 11 vjeçares nga 5 ‘monstra me fytyrë njeriu’, la pa gjumë çdo prind, çdo grua, çdo vajzë, çdo njeri normal. Të indinjuar, i madh e i vogël u ngritën në protestë në mbrojtje të vajzave dhe grave, po sidomos në mbrojtje të fëmijëve.

Vipat nuk kishin si të mungonin. Pas fjalimeve, pas paradës, pas solidarizimit për të njëjtën ‘plagë’ shoqërore, nisi edhe sherri mes një blogereje dhe një këngëtareje. Arësyeja: protagonizmi!

Pse nuk përmendën këngëtaren që organizoi protestën, ishte një problem i madh. Blogerja gjithashtu reagoi ashpër dhe protesta humbi kuptimin. Në fund të fundit kështu e ka humbur gjithmonë dhe është shndërruar në një shfaqje ‘sa për sy e faqe’.

Nisën shumë seriozisht të protestonin studentët, nëse do të ktheheshim pas në kohë, po protesta e humbi kuptimin sepse protagonist u bë kryeministri me frazën e famshme ‘Jam me studentët’, a thua sikur ata nuk po protestonin kundër qeverisë së tij.

Ngrihet komuniteti LGBT për të drejtat e tyre, kur në fakt askush nuk i ka penguar të dashurojnë të njëjtën gjini e as nuk i ka diskriminuar njeri, madje as ligji.

Një grup njerëzish protestuan për ngritjen e çmimeve, por ishte një grup aq i vogël, sa askush nuk e mori mundimin t’i dëgjojë, ndaj tubimi e humbi kuptimin.

U ngritën në protestë për Jonadën e vogël që i morën jetën padrejtësisht në plazhin e Potamit, por protagonizmin e vodhi Berisha me të tijët, duke zhgënjyer pjesmarrësit.

Me gjithë këto protesta që nisin nga vullneti i mirë dhe përfundojnë ‘pa u ndezur ende’, na mbetet të mendojmë se një ditë do dimë të protestojmë për të drejtën e mohuar, për abuzimin që nis me ‘gjëra të vogla’ e përfundon me shenja që mbeten tërë jetën, pa patur frikë se dikush do dojë të bëjë ‘heroin’, pikërisht atëherë kur protestat të mos bëhen më për ‘sy e faqe’. /Pamfleti


smile

Forum #protestat per sy e faqe