
Gazetari Artan Hoxha, ka publikuar sot për herë të parë përgjime nga komunikimet mes përfaqësuesve të Gardës së Republikës më 21 Janar 2011, kur dhe u vranë 4 protestues.
Në bisedat e kreut të Gardës Ndrea Prendi me gardistët, dëgjohet se si Prendi jep urdhër për të vrarë.
Duke folur në emisionin “Zona Zero”, gazetari Hoxha ka deklaruar se Ndrea Prendi para se të jepte urdhrin e vrasjeve ka qenë në Kryeministri dhe sapo ka dalë prej andej ka kontaktuar me vartësit.
“Disa ditë më parë kam qenë në familjen e Alks Nikës, dhe i kam dhënë këtë regjistrim, për ta qetësuar edhe shpirtërisht babin e tij. Ia kemi lënë në dorë familjes që ta çojnë në Prokurori dhe SPAK.
Ne dëgjuam Bashën dhe Berishën që u përplasën para një viti për 21 Janarin. Basha premtoi se do dëshmojë për 21 Janarin, por akoma nuk ka dëshmuar. Komunikimi që ka ndodhur para tragjedisë.
Nga komunikimet kam kuptuar që komandanti i Gardës i është kërkuar të hyjë në Kryeministri, pasi ka dalë ka filluar komunikimi”, tha Hoxha.
Komunikimi në radio
Komandanti i Gardës, Ndrea Prendi: “Të mbahen armët gati për zjarr. Të mbahen armët në dorë gati për zjarr në ajër. Pastaj kur të them unë në trup”.
Më pas ai i drejtohet zv/komandantit të gardës, Artan Hoxhës: “Dëgjon? Artan dëgjon?”
Përgjigjet Hoxha: “Dëgjoj, dëgjoj”