E gjithë beteja për gjermanin e fundit bëhet thjesht për të skërfitur plagët e vjetra. Partitë politike shqiptare nuk kanë pasur asnjëherë programe. Thjesht kush të mbledhë sa më shumë vota duke sajuar lloj- lloj tragjikomedish.
Shkruan Adrian Sulo
Ka vite që dita përkujtimore e çlirimit të vendit është shndërruar në një show tragjikomik. Në fakt debatet e sotme se kur u largua gjermani i fundit janë të natyrës krejtësisht komike. Pjesa tragjike e kësaj historie fillon që në 7 Prill 1939.
Largimi i Zogut përballë një agresori si Italia për mua ishte krejtësisht i natyrshëm. Besoj e panatyrshme për mua si dhe për ju është historia e thesarit që mori me vete.
Po kështu sipas gjykimit tim edhe një qeveri Shqiptare bashkëpunëtore me fashizmin ishte e natyrshme “një dorë që se mund dot…puthe”, thotë një proverb i lashtë. Po Komunistet a ishin në të drejtën e tyre?… Padyshim që idetë komuniste s’kishin lindur nga hiçi. Ata që s’kanë gjithmonë duan tua rrëmbejnë pronat atyre që kanè e sidomos kur i kanë fituar padrejtësisht (latifontistët dje e oligarkët sot)
Për të kuptuar më mirë përse unë justifikoj lëvizjet e secilës palë po rreshtoj shkurtimisht disa fakte.
-Jetonim në një sistem feudo-borgjez ku qytetarët jetonin në mjerim dhe vetëm disa latifontistë(sot oligarkë) kishin 90 % të pasurisë që kishte ky vend.
-Idetë komuniste ishin në modë kudo në botë dhe ato kishin filluar të qarkullonin edhe në Shqipërinë e mjerë të asaj kohe.
-Italia ishte një vend shumë i fuqishëm dhe ne s’kishim këllqe ta kundërshtonim e për më tepër ndiheshim mirë nën ombrellën e italianëve. Në fakt ne edhe sot kemi dëshirë të jemi nën ombrellën e dikujt dhe hera herës e shfaqim hapur.
Ndarja në luftën e dytë botërore ishte e pa shmangshme. Për mua qeveritë kuislinge ishin të dënuara të humbisnin. Edhe Balli Kombëtar e kishte të shkruar në Ballë që do ta humbiste pushtetin.
Nga njëra anë kishim komunistët që bënë për vete (natyrshëm) të varfrit dhe një pjesë të shtresës së mesme ndërsa në krahun tjetër Bejlerë e Agallarë dhe sejmenët e tyre që donin të mbronin pushtetin. Nuk kishte se si të mos kishte përplasje. Madje dhe futja e ballistëve nën ombrellën e pushtuesit këtu e ka bazën. Ata e ndjenë rrezikun e humbjes së pronave dhe panë komunizmin si rrezikun më të madh.
Luftën e fituan aleatet dhe sigurisht përgjegjësinë për të qeverisur e morën komunistët.
Për 45 vjet askush nuk vuri në diskutim lavdinë e luftës Nacional-Çlirimtare dhe sigurisht as datën simbolike të saj. Ata që humbën vuajtën padyshim.
Nuk di me siguri kur filloi komedia për datën e çlirimit të Shqipërisë, por me siguri kur PD ka ndjerë se nuk ka asnjë ndryshim nga PS.
Me siguri PD ka kërkuar një detaj që t’a dallojë nga PS dhe për këtë u gjend data e çlirimit. Në fakt Partia Demokratike si rregull nuk duhet ta përkujtonte fare datën e triumfit të kundërshtarëve, por me sa duket votat në demokraci janë prioritet dhe kalë beteje u bë data e largimit të gjermanit të fundit.
Është për të ardhur keq që edhe pas 30 vitesh demokraci vazhdon e njëjta histori dhe kalë beteje për të marë votat është lufta. Në fakt klasa e atyre që humbi luftën në 44-trën nuk erdhi dot në pushtet asnjëherë, por padyshim që është segmenti më i rëndësishëm i elektoratit të partisë Demokratike. Të njëjtën gjë s’mund ta thuash për përbërjen e lidershipit të kësaj partie. Aty bashkëjetojnë persekutorë e të persekutuar së bashku madje këta të parët janë me shumicë. E gjithë beteja për gjermanin e fundit bëhet thjesht për të skërfitur plagët e vjetra. Partitë politike shqiptare nuk kanë pasur asnjëherë programe. Thjesht kush të mbledhë sa më shumë vota duke sajuar lloj- lloj tragjikomedish.
Jemi të fundit e fshatit të madh Ballkan dhe askush nga “paria” e Tiranës nuk turpërohet për gjendjen mjerane në të cilën jetojmë. Varfërisë ekonomike të para 90 viteve tashmë i është shtuar dhe mjerimi moral. Banda që vjedhin e mashtrojnë, sundojnë politikën. Askush nga klasa e vjetër e politikës nuk po sheh nga e ardhmja.
Ndërkohë që gjermani i fundit është larguar duke defektuar andej nga fundi i Nëntorit të 44-katrës ka 30 vjet që Shqiptarët po e ndjekin e janë turrur drejt Gjermanisë për ta gjetur. Sigurisht jo për ta pyetur se kur është larguar po për t’i shpëtuar mjerimit që sundon këtë vend.
E shoh këtë foto komike të gjermanit të fundit dhe them me vete “Eja dhe një herë në këtë nevojtoren e madhe me emrin Shqipëri dhe defekto sa të duash vetëm të lutem vër pak rregull. “Vetëm ti ose Enveri mund t’ua bësh dermanin këtyre horrave që kanë marrë peng të ardhmen e këtij vëndi.