Editorial14 Dhjetor 2022, 10:11

Kurthi perfekt që SHBA i ngriti Edi Ramës

Shkruar nga Pamfleti
Kurthi perfekt që SHBA i ngriti Edi Ramës

Kurthi perfekt që SHBA i ngriti Edi Ramës

“Daj Semit”, jo vetëm nuk ja hedh dot, por përgatitu të vuash pasojat.

Tashmë është vendim; Departamenti i Shtetit Amerikan ka vendosur të shtyjë mandatin e ambasadores Yuri Kim në Tiranë, të paktën deri në shtatorin e ardhshëm.

Duke nxjerr bllof Edi Ramën, e natyrisht duke e nxjerrë fare jashtë loje Olta Xhaçkën, e cila që prej ditës kur “zëvendësoi” ambasadoren amerikane në Tiranë, nuk është gjë tjetër veçse një kufomë politike.

Gjithsesi duhet thënë, se e gjitha kjo lëvizje perfekte shahu ka qenë një kurth ku janë përfshirë tre udhëheqësit e lartë të shtetit shqiptar. Me Presidentin Bajram Begaj në mes, i cili i pari ka prishur atë simpati që amerikanët kanë pasur ndaj tij.

Kjo sepse ishte Presidenti që shpërndau me shpejtësi lajmin se ambasadorja Yuri Kim do të largohej së shpejti pasi i ka mbaruar mandati.

Mjeku gjeneral, ka rënë në një kurth, që sipas të gjitha gjasave ka qenë prova e jetës së tij. Një zyrtar i rëndësishëm në logjikën e marrëdhënieve diplomatike, vlerësohet mbi të gjitha për luajalitetin e tij në marrëdhëniet me ndërkombëtarët. Por Begaj, ka treguar se më shumë do Edi Ramën se SHBA-në, e këtu ai ka humbur besueshmërinë, të cilën e ka krijuar me mund gjatë kohës kur ka drejtuar shtabin e përgjithshëm.

Nga ana tjetër, ashtu siç amerikanët prisnin, Rama ka vrapuar të bëjë viral lajmin që ambasadorja ja kishte rrëfyer presidentit.

Njerëz të lidhur me qarqet e tij nxituan të japin lajmin, madje të furnizojnë edhe me alternativa mbi mundësinë e zëvendësimit të ambasadorit. E gjitha kjo lojë, i shërben mazhorancës për të ndikuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për zgjedhjen e njeriut që do të drejtojë nga java e ardhshme SPAK-un.

Mazhoranca i druhet shumë Altin Dumanit, i cili duket se ka simpatinë e SHBA-së, ngase konsiderohet shumë “proaktiv”. Ndërkohë dy kandidatët e tjerë, sidomos njëri prej tyre, ka reputacionin e njeriut “që merret vesh”.

E pikërisht me këtë lojë të nivelit të lartë, që dinë ta bëjnë diplomatë të cilët janë ‘gjeni’ shahu që fëmijë, SHBA e luajti, pikërisht për të prishur skemën e qeverisë.

Deklarata e djeshme e ambasadores Yuri Kim se “do të rri gjatë këtu”, e thënë në takimin me gjyqtarë e prokurorë, i ka vënë vulën të gjithë kësaj afere.

Pra “Daj Semit”, jo vetëm nuk ja hedh dot, por përgatitu të vuash pasojat.

Që Olta Xhaçka është në një situatë të vështirë, e tregon edhe fakti, se ajo ndikoi që i afërmi i saj deputet i PS-së, Arben Pëllumbi, të dalë në televizion, për ta shfajësuar sa të jetë e mundur kushërirën e tij.

Pëllumbi, deklaroi dje se do të ishte mirë që të mos ishte shpërndarë nga ministria e Jashtme njoftimi për Yuri Kim, por shtoi se është pjesë procedure dhe jo lapsus diplomatik.

Mirëpo gropa që i ka hapur vetes ministrja e Jashtme është shumë e madhe, e nuk ka të bëjë vetëm me të. Ajo thjesht ka humbur një kredibilitet aq të domosdoshëm për një shef diplomacie në kanalet e rëndësishme në Uashington.

Ndërsa Rama është kapur në “leqe” duke u munduar që të kapte SPAK-un. E kjo nuk është gjë e vogël; siç e tha ambasadorja në një deklaratë pas furtunës së Xhaçkës: “do të vijojë mbështetja në luftën kundër korrupsionit, e do të ketë ndëshkime të reja”. E kjo nuk ka nevojë për koment…/Pamfleti

Editorial “Pamfleti” #Kurthi amerikan #Kurthi perfekt që SHBA i ngriti Edi Ramës

Editorial