Kosova29 Nëntor 2022, 09:55

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Presioni për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga bashkësia ndërkombëtare po rritet. Por, a mendon kryeministri i Kosovës, Albin Kurti t’i injorojë aleatët e tij më të rëndësishëm?

Ai ka njoftuar se do ta zgjidhë edhe këtë çështje, por me kushtin që Asociacioni të jetë temë në bisedime dhe jo parakusht për të filluar negociatat me Serbinë.

“Pasi të flasim për normalizimin e marrëdhënieve tona, jam i gatshëm të flas për komunitetet dhe të drejtat e pakicës serbe, por jo si parakusht për bisedime, por si pjesë e tyre”, është shprehur Kurti në intervistën e tij për gazetën e njohur gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Ai bëri të ditur se Kosova do të dorëzojë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor.

Sipas Kurtit, Kosova do të jetë në mesin e shteteve, si Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, që do të dorëzojnë aplikimin për anëtarësim.

Në këtë intervistë, Kurti ka folur edhe për kompromisin e fundit sa i përket targave.

Ai tha se qëllimi ishte që Serbia dhe Kosova të fillonin shpejt negociatat “për një normalizim të plotë të marrëdhënieve”.

“Ne kemi rënë dakord që të mos zbatojmë vendimin tonë për penalizimin e drejtuesve të automjeteve me targa të paligjshme serbe. Serbia ka rënë dakord të ndalojë lëshimin e targave të trashëguara nga regjimi i Slobodan Millosheviqit. Këtë e bëmë jo vetëm për të de-përshkallëzuar, por edhe për të krijuar një mundësi për fillimin e shpejtë të negociatave për një normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Kurti.

Kreu i qeverisë kosovare thotë se këto duhet të përfundojnë përpara pranverës së vitit 2023.

“Ky ishte qëllimi i vërtetë i kompromisit”.

Prishtine Albin Kurti Asociacioni i Komunave me shumicë serbe

Kosova