
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka thënë se Kosova ka kapacitete për zhvillimin e TIK-ut.
Bazohet në një rini për të cilën thotë se ka potencial të madh.
Këtë konstatim Kurti e ka dhënë gjatë Samitit Digjital për Ballkanin Perëndimor – ngjarje që për herë të parë zhvillohet në Kosovë.
“Zhvillimi i kapaciteteve njerëzore për nevojat e industrisë së TIK-ut është mundësia kryesore për çlirimin e potencialit të rritjes së sektorit të TIK-ut në Kosovë. Në bashkëpunim me BE-në dhe Bankën Botërore janë duke u trajnuar mbi 3.500 të rinj në fusha të ndryshme të TIK. Këtë vit kemi ndarë 957 kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të Teknologjisë së Informacionit dhe Kompjuterikes dhe 1356 bursa universitare për vajza në fushën e STEM”, ka shkruar Kurti në Facebook, të enjten.
Transformimin digjital Kurti e sheh të mundshëm, pikërisht duke u bazuar tek të rinjet.
“Rinia jonë e aftë në teknologji dhe shpirti sipërmarrës i të rinjve tonë, është potenciali i madh kombëtar për transformimin digjital. Me këtë synojmë avancimin e administratës publike, sistemit arsimor, sektorit të shëndetësisë, sistemit të drejtësisë dhe të gjitha fushave të tjera të qeverisjes”, ka deklaruar Kurti.