Kosova 4 Dhjetor 2022, 19:02

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti

Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti, ka favorizuar komunat të cilat udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, sa i përket ndarjes buxhetore për vitin 2023 për investimet kapitale.

Instituti GAP ka analizuar këtë ndarje buxhetore “të padrejtë” të Qeverisë Kurti, duke e krahasuar atë me ndarjen e vitit 2022.

Nga analiza e GAP-it e quajtur “Analizë e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore”, kuptohet se 52 për qind e investimeve kapitale kanë shkuar për tri komunat e drejtuara nga partia në pushtet.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Ndërsa, për komunat e udhëhequra nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës ka pasur ndarje të balancuar të buxhetit, ndryshe nga komunat e drejtuara nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që kanë përfituar vetëm 1 për qind.

“Nga 51.2 milionë euro investime kapitale të reja të nivelit qendror këtë vit, 22 milionë euro janë destinuar për projekte specifike në komuna; 52% e kësaj shume (12 milionë euro) do të orientohet tek komunat e udhëhequra nga LVV, komuna që mbulojnë 9% të territorit dhe 8% të popullsisë”, thuhet në raport.

“Ndërkaq, në komunat e udhëhequra nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) vërehet një ndarje më e balancuar e buxhetit në raport me madhësinë e komunave dhe popullsisë”.

“Komunat e udhëhequra nga AAK do të përfitojnë vetëm 1% të investimeve të reja kapitale nga niveli qendror përkundër se ato mbulojnë 8% të territorit të Kosovës dhe përfaqësojnë 8% të popullsisë”, bën të ditur më tej hulumtimi i këtij instituti.

Të gjeturat tregojnë se 3.2 miliardë euro janë shpenzime, një rritje prej 464 milionë euro krahasuar me vitin 2022.

75 milionë euro më shumë janë ndarë për paga dhe mëditje më 2023. Ndërkaq, janë krijuar 1435 vende të reja të punës në sektorin publik, prej të cilave 300 vende shtesë në Policinë e Kosovës, 108 në Kuvendin e Kosovës, 86 në Komunën e Prishtinës, 44 në Komunën e Prizrenit.

“Nga 810.7 milionë euro sa pritet të jenë investimet kapitale, 611.4 milionë euro (75%) janë vazhdim i projekteve të mëhershme dhe 199.3 milionë euro (25%) janë planifikuar për projekte të reja kapitale”, thuhet tutje në raportin e GAP-it.

Prishtine Albin Kurti Instituti GAP investimet kapitale Lëvizja Vetëvendosje qeveria e Kosovës

Kosova

·

4 Dhjetor 2022, 16:4516:45Kosova