Kosova24 Nëntor 2022, 12:33

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, derisa është deklaruar para deputetëve rreth procesit të dialogut me Serbinë, ka thënë se pa përkrahjen e Kuvendit të Kosovës, nuk ia del dot.

Ai ka kërkuar përkrahjen e të zgjedhurve të popullit, duke thënë se nuk dëshiron të ecë i vetëm në këtë proces.

“Qeveria ka nevojë dhe nuk ka si t’ia del dot pa Kuvendin, ne kemi nevojë për mbështetjen e juaj, ju keni nevojë për njoftimin tonë, por që të gjithë bashkë kemi nevojë për diskutim, dhe unë jam i gatshëm ta bëj këtë, edhe në seancë plenare, edhe në takime me liderët, për shkak se nuk dua të eci vetëm”, tha Kurti në seancën plenare të së enjtes.

Ai shtoi se Bashkimi Evropian mban pozicionin e qeverive të kaluara, në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne nuk pajtohemi me të kaluarën, por trashëgimia e qeverive të kaluara është bërë pozicion i BE-së. Ndryshimi i kësaj merr kohë, dhe duhet të bëhet në kuadër të një plani më të madh, atij franko-gjerman. Propozimi ynë do të jetë një marrëveshje ndërkombëtare, ligjërisht e obligueshme dhe me njohjen reciproke në qendër”, u shpreh ai.

Kurti tutje theksoi se Serbia e ka pranuar për herë të parë që emërtimet e qyteteve të Kosovës janë pjesë e juridiksionit territorial të Republikës së Kosovës.

“Një hap i tillë është fundamental që të shuhen organizatat kriminale në veri”, përfundoi ai.

Prishtine Albin Kurti dialogu Kosovë-Serbi Kuvendi i Kosovës

Kosova