Kosova28 Dhjetor 2022, 11:20

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar KFOR-in se koha dhe hapësira që i është dhënë për të hequr barrikadat e vendosura nga serbët në veri, po shterron.

Ai ka thënë se kjo kohë dhe hapësirë është e mjaftueshme për të vepruar.

“Nuk mund të qëndrojë edhe parimi i lëvizjes së lirë edhe barrikada që e pengojnë lëvizjen e lirë”, ka thënë Kurti të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë.

Kurti ka shtuar se shteti që ai udhëheq nuk do të bisedojë e bashkëpunojë me siç i ka quajtur ai, kriminelët që kanë vendosur barrikadat në veri, por do t’i arrestojë ata.

Sipas tij, këta kriminelë që janë sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, po mbështeten nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç.

“Sa i përket situatës në komunat në veri të Kosovës, veprimeve dhe vendimeve të ligjshme të Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës u janë kundërvënë kriminelët duke e sfiduar organet e zbatimit të ligjit dhe duke cenuar sigurinë. Fatkeqësisht këta kriminelë të sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania po mbështeten nga presidenti dhe Qeveria e Serbisë me qëllim të destabilizimit të rajonit përveç se cenimin e integritetit territorial të Kosovës. Institucionet e Kosovës nuk do të bisedojnë e bashkëpunojnë me kriminelë, por do t’i arrestojnë ata”, ka thënë kreu i ekzekutivit.

Veriu i Kosovës ka ngelur i bllokuar nga 10 dhjetori, kur serbët për ta kundërshtuar arrestimin e ish-policin Dejan Pantiç, vendosën mbi 13 barrikada në lokacione të ndryshme në veri.

Pantiçi dyshohet se organizoi sulmet ndaj komisioneve komunale zgjedhore.

Një barrikadë e re u vendos të martën në mbrëmje dy kilometra larg pikës kufitare Merdar nga pjesa e Serbisë.

Gjatë ditës së hënë, Bashkimi Evropian dhe KFOR-i kanë kërkuar që të hiqen barrikadat në veri.

Prishtine Albin Kurti Barrikadat në veri të Kosovës KFOR