Në seancën e sotme të Kuvendit ku po diskutohet për këtë projektligj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk mund të zgjidhen problemet e tanishme duke rrezikuar të ardhmen.
“Ne e kemi të qartë që mjetet në trust janë të qytetarëve, por vetë natyra e tyre nënkupton që ato nuk vihen në institucion të interesave politike por të nevojave të pensionistëve”, ka deklaruar Kurti para deputetëve.
Ai është treguar i ashpër me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiun, iniciues i kësaj nisme, duke thënë se nuk e ka ditur që është doktor shkence, pasi “vetëm një doktoraturë ta sjell guximin e nevojshëm për të bërë propozime të tilla”.
“Nuk kam qenë i njoftuar që nismëtari është doktor shkence. Pra ka doktoraturë. Unë besoj që kjo nismë ka ardhur se nismëtari ka doktoraturë. Vetëm një doktoraturë ta sjell vetëbesimin e nevojshëm për të bërë një propozim të tillë që ndërhynë në ekonominë e shtetit”.
Kurti ka thënë se nga mbi 695 mijë llogari që janë të hapura në Trust, mbi 90 përqind e tyre, kanë të akumuluar më pak se 10 mijë euro.
“Afër gjysma nuk do t’i tërhiqnin më shumë se 100 euro, por ne ua kemi dhënë nga 100 euro. Cili është kuptimi që të rrënohet sistemi pensional, përveç se rrënimit”, pyeti Kurti.
“Unë nuk kam qenë i njoftuar që nismëtari është doktor shkence, nismëtari ka doktoratë, ka PHD. Nevojitet doktoraturë për një fizioterapist që ta sjellë një propozim të tillë në Kuvend”, ka thënë ai.