Nëse do lejohet hetimi, gjurmët do çojnë te një treshe super-fuqi pushteti: Politikan-Qeveritar-Oligark/ SPAK e ka shumë të lehtë, për të zbuluar (ish) kryepolicët dhe prokurorët, që nxorën të “pastër” dhe nuk e prangosën administratorin e firmës së bananeve Eduard Dauti, kur më 28 shtator 2019 iu kapën 137 kg kokainë në konteiner e po kështu më 13 korrik 2021, iu kapën 11.6 kilogramë kokainë, por u la i lirë të arratisej nga Shqipëria
Ditën martë, në konteinerët e firmës së bananeve “Alba Exotic Fruit sh.p.k”, u kap përsëri mbi 10 kilogramë kokainë, duke regjistruar rastin e 6-të në harkun kohor shtator 2019-tetor 2021, që kësaj firme i kapet kokainë e sjellë nga Ekuadori, me sasi totale 181 kilogramë.
Por, pavarësisht trafikimit të shpeshtë të kokainës në Portin e Durrësit, drejtësia nuk po e bllokon aktivitetin e firmës “Alba Exotic Fruit shpk”, kur sipas Kodit Penal duhej bllokuar qysh në rastin parë më 28 shtator 2019, kur DEA Amerikane i kapi 137 kokainë brenda bananeve.
Atëherë, u prangosën vetëm dy punëtorë ngarkim-shkarkimi dhe Gentian Malindi, personi pritës i kokainës, që në Durrës njihet si bashkëfshatar dhe mik i afërt familjar e biznesesh me presidentin Ilir Meta dhe ish-ministrat Lefter Koka e Nasip Naço të LSI.
Ndërsa Eduard Dauti, pronari i firmës “Alba Exotic Fruit”, jo vetëm nuk u shoqërua nga policia e nuk u thirr as për dëshmi si pronar i ngarkesës me banane; por mbrëmjen e ditës kur iu kap kokaina; “bosët e tij” e nxorën në intervistë speciale te TV-Klan, ku ai tha se nuk dinte asgjë.
Edhe pse në konteinerët me banane që importon Eduart Dauti, janë kapur 6 herë ngarkesa me kokainë; dhe nga arratia si person në kërkim, ai po vazhdon lirshëm biznesin e bananeve, duke bërë veprime me doganën, tatimet, bankat e Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Me mos veprimin e saj, drejtësia po tregon se përballë kupolës së pushtetit politik, nuk ka fuqi t’i bllokojë as aktivitetin një firme e biznesmeni që trafikon kokainë 2-3 herë në muaj.
E gjersa firmës “Alba Exotic Fruit shpk”, nuk i bllokon dot as licensën, drejtësia nuk mund të ketë fuqi t’i bllokojë e hetojë as 16 milionë Euro llogari e pasuri të paluajtshme; që pronari i firmës Eduard Dauti ka në Vlorë, Fier Durrës, Sarandë, Tiranë, Pogradec, Korçë, Shëngjin e Velipojë, shumica prej tyre vila, PUB-e, restorante, hotele, njësi tregtare, troje e toka.
Për këto pasuri, drejtësia ka indicie provash nga SHISH e Policia Anti-krim, se veç të ardhurave nga tregu i bananeve, janë dhe me burim trafikun e kokainës, konfirmuar me 6 raste që e kryen.
Edhe tre fakte, si referencë për SPAK-un:
– Më 21 nëntor 2018, në aksin Librazhd-Prrenjas; policia ka kapur 8 persona që transportonin 570 kg kanabis e 2.5 kg. kokainë për në Greqi, ku rezultoi që furgoni me targë “AA 356 NA”, ishte në pronësi të një biznesmeni po me mbiemrin “Dauti”, kushëri i bosit të bananeve.
– Në datën 29.01.2019, kompania “Alba Exotic Group” e Eduart Dautit, u kap në doganën Durrës nga policia dhe AKU; me 41.7 ton banane të kalbura të importuara nga “Costa Rika”, porositur për prodhim lëngjesh nga fabrika “Birra Tirana” me drejtor Luan Bregasin.
– Në Polici e Prokurori, është e bllokuar një audio-video, për veprimtari shpërndarje droge e trafik femrash, regjistraur në “PUB-TABU” -Tiranë, pronë e trafikantit Eduard Duati.
Nëse do lejohet të bëhet hetim për këtë firmë, gjurmët do çojnë te një treshe me fuqi të lartë pushteti: Politikan-Qeveritar-Oligark; ndërsa SPAK e ka shumë të lehtë, për të zbuluar se cilët janë (ish) kryepolici i Durrësit dhe prokurorët, që e nxorën të “pastër” dhe nuk e prangosën bosin e bananeve Eduard Dauti, kur më 28 shtator 2019, iu kapën 137, ndërsa pas drogës së kapur më 13 korrik 2021 e lanë të lirë të arratisen nga Shqipëria./Pamfleti