Aktualitet15 Janar 2019, 18:02

‘Kush e ka radhën pas Balilit’?! SHBA-BE mesazh të tërthortë politikës: Askush nuk do të shpëtojë!

Shkruar nga Pamfleti
‘Kush e ka radhën pas Balilit’?! SHBA-BE mesazh të

'Kush e ka radhën pas Balilit'?! SHBA-BE mesazh të tërthortë politikës: Askush nuk do të shpëtojë!

Kush e ka radhën?! Askush nuk do t’i shpëtojë ‘dorës së hekurt’ të drejtësisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë reaguar njëzëri për vetëdorëzimin e ‘Eskobarit të Ballkanit’, Klement Balili, në polici. Një lajm i bujshëm ky, që vjen në një kohë ‘lufte’ politike dhe i jep një shuplakë të fortë gjithë kupolës më të lartë, e cila është e tronditur në këtë fillimvit nga drejtësia e re.

Goditja tashmë ka nisur dhe kapja e Klement Balilit, i cilësuar si ‘koka’ më e rrezikshme e trafikut ndërkombëtar të drogës, i cili ka dhe lidhje të forta me politikanë të lartë në Shqipëri, është një mesazh i fortë se askush nuk do t’i shpëtojë ‘dorës së hekurt’ të drejtësisë.

Këtë mesazh, ndonëse tërthorazi, e kanë dhënë edhe aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe BE, të cilët e vlerësojnë si një zhvillim shumë të rëndësishëm të luftës ndaj krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, dhe si një fillim të mbarë të goditjes nga Reforma në Drejtësi.

Ashtu si edhe nën drejtimin e ambasadorit Donald Lu, i njohur si ‘tmerri’ i politikanëve të inkriminuar dhe korruptuar, ambasada e SHBA vijon të drithërojë ‘bandën’ politike, duke përcjellë mesazhin se kapja e Balilit është vetëm fillimi, teksa bën pyetjen ‘e kobshme’: Kush e ka radhën?

“Ne përgëzojmë Policinë e Shtetit dhe agjensitë ligjzbatuese partnere për arrestimin e trafikantit ndërkombëtar të drogës, Klement Balili. Ky shënon një hap të madh për popullin shqiptar në rrugën drejt sundimit të zbatimit të ligjit, dhe shërben si një përparim i prekshëm drejt hapjes së bisedimeve me BE. Ne mirëpresim një hetim dhe gjyq të shpejtë dhe të plotë. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme për të ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e saj në luftën kundër krimit të organizuar”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA. Kush e ka radhën?”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA.

Po aq i ashpër në reagimin e tij është treguar edhe Bashkimi Evropian, i cili përmes ambasadorit Luigi Soreca tregon se ky është vetëm fillimi dhe hapi i parë i rëndësishëm në rrugën drejt integrimit evropian.

“Fakti që Klement Balili është në burg përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri. Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës është një prioritet kyç për rrugën e Shqipërisë drejt BE. Zhvillim i rëndësishëm në luftën ndaj bandave kriminale”, është shprehur Luigi Soreca.

Kryesore Klement Balili politika shqiptare SHBA-BE trafiku i drogës