Zbardhen pamjet nga vrasja e Ardian Çollakut dhe Lulzim Bitrit, mbrëmjen e 4 tetorit 2021, pranë një karburanti në aksin Elbasan-Metalurgjik.
Emisioni “Në shënjestër” ka publikuar videon e atentatit, ku shihet se në një sekuencë prej 60 sekondash, ndaj Çollakut dhe mikut të tij u derdhën 23 plumba. Çollaku nuk është një emër i panjohur për drejtësinë, pasi ai ka qenë i dënuar më herët për trafik të lëndëve narkotike.
Siç shihet edhe nga pamjet e atentatit, e gjithë ngjarja zhvillohet në një lavazh makinash pranë një karburanti. Viktimat me rreth të kuq në pamje të parë po qëndrojnë qetësisht pranë një makine, jashtë lavazhit.
Ndërkohë që për të ilustruar të gjithë rekuizitën e këtij krimi, në anë të karburantit është i ndaluar edhe një autobus pasagjerësh me drejtim Greqinë që në këtë moment po furnizohej me lëndë djegëse pranë lavazhit ku vetëm pas pak sekondash do të ndodhë krimi.
Vetëm, 34 sekonda nga fillimi i këtyre pamjeve, siç shikohet edhe nga planet, drejt lavazhit vjen me shpejtësi një automjet tip “Benz” që futet në brendësi, ndërkohë që viktimat e këtij atentati vazhdojnë të bisedojnë të qetë në këmbë jashtë tij.
Vetëm 50 sekonda më pas, makina tip “Benz” e autorëve del nga lavazhi dhe ndalon përballë vendit ku Ardian Çollaku dhe Lulzim Bitri po qëndronin në këmbë. Në momentin e parë nga dera e parme e automjetit, del një person i veshur me bluzë të zezë dhe me kapele po të zezë në kokë që qëllon i pari ndaj dy shënjestrave të atentatit.
Paralelisht me të, një person i dytë del nga dera e pasme e makinës dhe qëllon mbi viktimën e dytë. Ndërkohë, autori i dytë për t’u siguruar që e kishin kryer si duhet punën, shkon dhe godet sërish mbi viktimën e tij.
Dhe ky është momenti kur makina e autorëve lë vendngjarjen.
Ndërkohë, skena 1 minutëshe, që nga koha e mbërritjes së makinës së autorëve deri në largimin e tyre, është kryer në sytë e terrorizuar të dhjetëra pasagjerëve që ndodheshin në këtë moment në autobusin e linjës së Greqisë. Ishte kjo pra vrasja e dyfishtë që tronditi Elbasanin mbrëmjen e 4 tetorit 2021 që ka mbetur ende e pazbardhur dhe që pret drejtësi. Kush e vrau Ardian Çollakun dhe Lulzim Bitrin?