Bashkëpunëtorja “A.TH.”, është mbajtur disa muaj me iniciale si “sekret hetimor” për reperkusionet që mund të shkaktojë identiteti i saj…
Hetuesit e SPAK janë shtangur kur kanë zbuluar në kompjuterin e Alqi Bllakos disa qindra e-maile komunikimi pune dhe qejfi, që ai i përdorte në vitet e arta të karrierës së vet, kur ishte Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit.
Bllako dërgonte e merrte rregullisht e-maile me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton, biznesmenët që më pas u bënë pronarët e kompanive koncensionare të inceneratorëve në Elbasan dhe Fier.
E-mailet e shkëmbyera mes Alqi Bllakos dhe dy biznesmenëve janë prova më e fortë e SPAK që e “gozhdon” gjeniun 35 vjeçar, i cili arriti u bë edhe deputet. Por SPAK ka zbuluar edhe një tjetër bashkëpunëtor të Bllakos në kompjuterin e tij.
Bashkëpunëtorja “A.TH.”, është mbajtur disa muaj me iniciale si “sekret hetimor” për reperkusionet që mund të shkaktojë identiteti i saj. Alba Thoma, sipas hetimit të SPAK del se është ajo përpiluesja e aktit që i hapi rrugë inceneratorit të Elbasanit. Thoma draftoi vendimin e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Elbasan, që vendoste të shpallë gjendjen e emergjencës mjedisore.
Nga komunikimet elektronike të Bllakos me Thomën hetuesit mësuan se kjo e fundit ka përpiluar dhe draft kontratën koncensionare, që Bllako ia dërgoi më pas shokëve të vet biznesmenë, Zoto dhe Mërtiri. Xhirimi e-maileve ndërmjet Thomës e Bllakos, ky i fundit me Mërtirin e Zoton, ka zbuluar dhe afera të tjera, emra të tjerë, kompani dhe aktivitete private që përlyejnë shtetin dhe biznesin me llum korrupsioni.
Çifti Thoma-Bllako, është shembulli më kuptimplotë se si abuzimi me pushtetin që bën shtetin, mund të shkojë deri aty sa, miliona euro dhe fate mjedisore kombëtare, lihen me qëllim në duar adoleshentësh që të fitohet maksimalisht. Nga ana tjetër adoleshentët ne pushtet mitizohen si “gjeni” deri sa përfundojnë në burg.
Alba Thoma, emërohet nga hiçi Drejtoreshë Juridike, Prokurimesh dhe Koncesionesh në Ministrinë e Mjedisit 2013 – 2017.
Alqi Bllako, “gjeniu” emërohet 25 vjeç, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, 2013 – 2017.
Korrespondenca e çiftit adoleshent të Ministrisë së Mjedisit, ka habitur hetuesit për lehtësinë e bërjes së aferave, që aq vite sa “lodruan” me letrat e ministrisë të dy, mund të kenë shkatërruar pakthyeshëm pjesë të mira të mjedisit kombëtar dhe buxhetin e shtetit.
Por koketa “Thoma” nuk është thjesht një adoleshente që u katapultua së koti në drejtorinë kyç të Ministrisë së Mjedisit, aty ku ndodhi gjëma e inceneratorëve.
Thoma mban mbiemrin e vet, por është bashkëshortja e Solian Celibashit, vëlla i Ilirian Celibashit dhe administrator i “Cc Law Office”, studio e avokatisë, që “celibashët” e mbajnë si strehë të aferave dhe punëve të tyre. Studio “Celibashi” dyshohet se ka draftuar aktet e inceneratorëve dhe ka qenë ura lidhëse ndërmjet aferave që kalonin nga zyra e ‘ustait’ të zgjedhjeve, tek kompjuterët e çiftit Thoma – Bllako, e më tej tek biznesmenët që sot janë në kërkim.
Alba Thoma (Celibashi), koketa me “tatuazh” dyshohet se ka joshur 25-vjeçarin Bllako duke i dhënë drafte “të nxehta”, për afera inceneratorësh, që ai të dukej një gjeni. E futur me të njëjtin qëllim dhe “tatuazh” në kabinetin e Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, në janar të këtij viti, Thoma për pak kohë pushtoi “ekstradimet” për interesat e studios së celibashëve me “Cc Law Office”.
Manja me lidhje të rëndësishme në SPAK, u “tmerrua” kur prokurorët i treguan në gusht, e-mailet e Thomës në dosjen “Bllako” dhe e përzuri nga ministria e tij në heshtje, pa ceremoni. Thoma e celibashëve u kthye në bazë, Bllako në burg. /Pamfleti