Aktualitet21 Dhjetor 2018, 09:00

Kush është ekspertja ligjore që do ‘shkundë’ politikën: Jo më duart në gjyqësor, do hapim faqe të re!

Shkruar nga Pamfleti
Kush është ekspertja ligjore që do ‘shkundë’

Kush është ekspertja ligjore që do 'shkundë' politikën: Jo më duart në gjyqësor, do hapim faqe të re!

Llagami e ka cilësuar moment historik nisjen e goditjes së krimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet

Këshilli i Lartë Gjyqësor zgjodhi një ditë më parë drejtuesin e saj, detyrë e cila i është besuar një gruaje. Në krye të KLGJ u zgjodh Naureda Llagami, e cila vjen nga radhët e shoqërisë civile, dhe që në mesazhin e parë ka frikësuar klikën politike.

Llagami e ka cilësuar moment historik nisjen e goditjes së krimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet, ndërsa ka shtuar se KLGJ duhet të punojë për të bërë një sistem gjyqësor të besueshëm, të drejtë dhe të shkëputur totalisht nga politika.

“Sot do të nisim rrugën për të ndërtuar një Gjyqësor të paanshëm, të pakorruptuar dhe të pandikuar nga politika. Ndihem e nderuar që do të punoj me një skuadër profesionistësh. Do të bëjmë të mundur realizmin e pritshmërive të publikut dhe do të rikthejmë besimin e tyre te sistemi i drejtësisë. Kjo është detyra dhe sfida më e madhe. Ky këshill ka për detyrë të miratojë vendime që do të jenë lehtësisht të aksesueshme nga publiku.

Promovimi nëpër gjykata i profesionistëve do të bëhet vetëm në bazë të vlerave, do të ketë një monitorim efektiv të performancës nëpër gjykata. Trajtimi i çështjeve gjyqësore do të jetë i drejtë, ky është edhe objektivi ynë primar. T’u japim jetë rezultateve të pritshme nga publiku për këtë reformë. Do të hapim një faqe të re për drejtësinë, gjë që do të na afrojë edhe më shumë me BE. Tani aplikimi i drejtë i ligjit nuk është më thjesht një koncept”, është shprehur Llagami, sapo ka marrë detyrën e re dhe të rëndësishme.

Por, kur është Naureda Llagami?

Naureda Llagami ka një karrierë të gjatë në çështjet ligjore. Ajo e ka nisur karrierën si avokate në një shoqatë që ofronte shërbime ligjore falas, ku ka punuar për rreth 10 vjetësh, nga vitet 2000 deri në vitin 2010.

Më pas, ajo nis punë si pedagoge në një universitet privat dhe fiton një vend pune si eksperte në draftet ligjore në Ministrinë e Drejtësisë, nga 2010 deri në vitin 2011. Në vitin 2012, ajo merr një tjetër detyrë si eksperte ligjore në një shoqatë joqeveritare, ndërsa nis të japë mësime si pedagoge në një tjetër universitet privat.

Në vitin 2012 rikthehet në Ministrinë e Drejtësisë ku punon një vit si eksperte ligjore për çështjet e dhunës ndaj grave dhe përmirësimin e legjislacionit në këtë drejtim. Në dhjetor 2012, Llagami nis punë si ndihmëse ligjore në Gjykatën e Lartë, në të cilën punon deri në vitin 2016.

Aktualitet KLGJ Naureda Llagami Reforma në Drejtësi

Aktualitet