Bota13 Gusht 2022, 22:38

Kush është Merrick Garland, Kryeprokurori që ka fatin e Donald Trump në duart e tij?

Shkruar nga Pamfleti
Kush është Merrick Garland, Kryeprokurori që ka fatin e Donald

Garland lindi në Çikago në vitin 1952. Nëna e tij, Shirli, ishte një vullnetare kryesore për një organizatë të komunitetit hebre dhe babai i tij, Cyril, drejtonte një biznes të vogël reklamash nga shtëpia e familjes. Gjyshërit e tij kishin ardhur në SHBA nga rajonet perëndimore të perandorisë ruse…

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së është i njohur për vendosmërinë e tij dhe aftësinë për të kapur detajet, e teksa ai do të hetoj ish-presidentin këto cilësi do të vihen në provë.

Për rreth tre orë, mbështetësit e Donald Trump u mblodhën para shtëpisë së tij në Florida për të protestuar kundër urdhrit për nisjen e hetimeve ndaj Trump nga Departamenti i Drejtësisë dhe për të hedhur teori konspirative ndaj FBI-së. Ndërkohë një dron i vogël valëviste një banderolë me një mesazh.

“Ha Ha Ha Ha Ha Ha“, u gëzuan keqdashësit të cilët u bënë bashkë për të financuar marifetin e të mërkurës sepse thanë ju sjell kënaqësi

Për Merrick Garland, Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së, mbi supet e të cilit tani qëndron pesha e hetimit ndaj një ish-presidentit, nga ai nuk mund të ketë asnjë lloj kënaqësie, asnjë lloj deklaratë të gëzuar, asnjë fjalim triumfuese mbi sekuestrimin e dokumenteve të klasifikuara qeveritare nga FBI nga pasuria e Mar-a-Lago.

I njohur në qarqet gjyqësore si një operator i matur me një sy të përpiktë për detaje, një botëkuptim njerëzor dhe një përkushtim ndaj drejtësisë, Garland tani është në sy të një stuhie që jo vetëm mund të sjellë pasoja monumentale mbi institucionin e qeverisë, por edhe të njollosë trashëgiminë e tij profesionale.

Ky hetim i një ish-presidenti të Shteteve të Bashkuara është hetimi më konsekuent i një karriere”, tha Mitchell Epner, një ish-prokuror federal.

Rezultati i tij ka të ngjarë të jetë fjalia e parë në nekrologjinë e Merrick Garland kur ai të ndahet nga jeta – dhe ai e di këtë. Ai është një mjeshtër pa të meta, jo mburravec, ai nuk është nga ata që rreh gjoksin”

 Teddy Roosevelt [presidenti i 26-të i SHBA-së] kishte një thënje: “Fol butësisht dhe mbaj një shkop të madh“. Merrick Garland është mishërimi i kësaj.”

Nën akuzën nga e djathta se ai ka abuzuar me pushtetin e tij dhe nën presionin e së majtës për të sjellë para drejtësisë një ish-president që pretendohet prej kohësh se ka përdhosur detyrën më të lartë të vendit, Garland, 69 vjeç, duhet të mbajë një kurs të pavarur që nuk i përulet asnjërit.

Përpara betimit si shef i zbatimit të ligjit të Amerikës në mars të vitit të kaluar, ai shërbeu si gjyqtar në Gjykatën e Apelit të SHBA për Distriktin e Kolumbisë për 23 vjet, shtatë prej tyre si kryegjyqtar; pozicion për të cilin ai u konfirmua me mbështetjen dypartiake.

Ajo konsiderohet gjykata e dytë më e fuqishme në vend, me një përgjegjësi unike pjesërisht për shkak të vendndodhjes së saj në kryeqytet. Katër nga nëntë gjyqtarët aktualë të Gjykatës së Lartë kanë shërbyer atje.

Në emërimin e tij, Presidenti Biden e përshkroi Garland si “një nga juristët më të respektuar të kohës sonë” me një histori në integritet. “Prokurori i Përgjithshëm nuk i shërben vullnetit të presidentit dhe nuk ekziston për ta mbrojtur atë. Drejtësia i shërben popullit. Nuk ka asnjë president që është mbret”.

Por Garland, duke u përballur me Trump – i targetuar nga kritikët si një narcisist me një ndjenjë mbretërore për veten dhe një bazë ndjekësish të gatshëm të ngrihen në emër të tij – do të bënte mirë, sugjeroi Epner, të ndiqte një aksiomë të cituar nga një personazh në një dramë televizive “The wire” i cili thotë “Nëse shkon deri tek mbreti, bën mirë të mos humbasësh“.

Epner shtoi: “Donald Trump do të përdorë të gjitha mjetet, ligjore dhe jo ligjore, për të sulmuar mirëbesimin dhe meritat e çdo ndjekjeje penale kundër tij. Ai po kryen një sulm të hapur ndaj besueshmërisë së Departamentit të Drejtësisë dhe të gjithë qeverisë federale të SHBA-ve. Nëse kjo ndjekje do të shkonte përpara dhe do të dështonte, do të krijonte një krizë besimi në sistemin amerikan të qeverisjes. Nuk mund të ketë aksion në nivele më të larta se ky”.

Garland lindi në Çikago në vitin 1952. Nëna e tij, Shirli, ishte një vullnetare kryesore për një organizatë të komunitetit hebre dhe babai i tij, Cyril, drejtonte një biznes të vogël reklamash nga shtëpia e familjes. Gjyshërit e tij kishin ardhur në SHBA nga rajonet perëndimore të perandorisë ruse për t’i shpëtuar persekutimit.

Ai fitoi bursa për të ndjekur Universitetin e Harvardit dhe e pagoi rrugëtimin e tij të Shkollës Juridike të Harvardit duke bërë një punë verore si asistent në një dyqan këpucësh dhe duke shitur koleksionin e tij të çmuar komik.

Ai ishte “padyshim një nga studentët më të talentuar që i kam dhënë mësim në karrierën time”, shprehe profesori i tij i shkollës juridike, Laurence Tribe, në një intervistë me “The Washington Post në 2016”, kur Presidenti Obama emëroi Garland në Gjykatën e Lartë. Konfirmimi i tij u bllokua në mënyrë të diskutueshme nga senatorët republikanë.

“Merrick Garland që unë njoh është dikush të cilit do t’i besoja jetën time. Ai është jashtëzakonisht i denjë dhe kurrë nuk kam dëgjuar për dikë që ka debatuar para tij, qoftë duke fituar apo humbur ose që është ndjerë i trajtuar në mënyrë të padrejtë ose që nuk ka menduar se Garland e kishte trajtuar çështjen me mendje të hapur”, tha Tribe.

Mbështetësit e Garland thonë se përkushtimi i tij ndaj shërbimit publik është demonstruar nga lëvizjet që përfshinin heqjen dorë nga një partneritet fitimprurës në praktikën private, vetëm për t’u bërë prokuror federal në vitin 1989, gjatë administratës së parë të Presidentit Bush, duke hetuar korrupsionin publik, trafikun e drogës dhe mashtrimin. Më vonë ai u zgjodh si zëvendës ndihmës i prokurorit të përgjithshëm për divizionin penal të Departamentit të drejtësisë duke hetuar disa nga disa nga çështjet penale federale me profil të lartë që ka sjellë departamenti.

Ato përfshinin rastin e bombardimit të një ndërtese të qeverisë federale në Oklahoma City në 1995, në të cilën 168 njerëz vdiqën dhe afro 700 u plagosën. Ai ishte akti më vdekjeprurës i terrorizmit vendas në SHBA.

Në Oklahoma, Garland punoi me agjentë federalë, shpëtues, viktima dhe familjet e tyre për të bashkuar ndjekjen penale të autorëve, Timothy McVeigh dhe Terry Nichols.

Ai “u dallua në një situatë ku duhej të drejtonte një hetim shumë të ndërlikuar dhe të merrte vendime të shpejta gjatë periudhave kritike“, sipas Frank Keating, guvernatori i shtetit në atë kohë. McVeigh u dërgua në dhomën e vdekjes ndërsa Nichols mori një dënim të përjetshëm.

Gjithashtu në 25 vitet e fundit ka shërbyer në heshtje prapa skenave si mësues për nxënësit e rinj të cilët kanë problematika të ndryshme në Uashington, duke i mësuar atyre lexim dhe matematikë, gjithashtu mbetet pranë ish-nëpunësve të tij të ligjit, duke i monitoruar gjatë karrierës së tyre.

Ai dhe gruaja e tij 35-vjeçare, Lynn, kanë dy vajza të cilat bënë ski, ecje, kanoe dhe vizita në parqe kombëtare si aktivitetet e preferuara jashtë detyrës.

Brandon Van Grack, dikur avokat i lartë në divizionin e sigurisë kombëtare të DD dhe tani partner në firmën ligjore ndërkombëtare Morrison and Foerster, tha: “Ai është i zhytur në mendime, i matur dhe konsistent. Ndonjëherë njerëzit e kritikojnë atë se nuk është mjaft agresiv ose shumë i durueshëm, por nuk ka asnjë lojë politike prej tij. Kjo është arsyeja pse emërimi i Merrick Garland ishte një vendim kaq i shkëlqyer nga presidenti, sepse herë pas here ai ka treguar se nuk është i ndikuar.”

Trump dhe togerët e tij kanë pasur një pikëpamje të ndryshme, duke e etiketuar Garland si pjesë të një komploti “gënjeshtrash dhe përmbysjesh” që synojnë rrëzimin e ish-presidentit përpara rikthimit të tij të dytë të parashikuar në zgjedhjet e ardhshme për Shtëpinë e Bardhë.

Dëgjo këtu ti gjë pavlerë . . .je një ndyrësirë që ske ligj” shpërtheu i zemëruar Steve Bannon, dikur kryestrategu i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, në një shaka kundër Garland në emisionin e tij në radio të enjten.

Senatori republikan Josh Hawley, nga Misuri, postoi në Twitter se “së paku, Garland duhet të japë dorëheqjen ose të fajësohet” dhe Kevin McCarthy, udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, kërcënoi një hetim të ardhshëm për “armatizimin e Departamentit të Drejtësisë“, duke shtuar: “Avokat -Gjeneral Garland, ruaj dokumentet e tua dhe pastro kalendarin tënd.

David Laufman, një ish-kreu i seksionit të kundër zbulimit dhe kontrollit të eksporteve në departamentin e drejtësisë i cili mbikëqyri hetimin për trajtimin e postave elektronike të qeverisë nga Hillary Clinton si sekretare e shtetit – tha:

Nëse çështja [Trump] çon në akuza penale mbetet për t’u parë. Nëse nuk ndodh, opinioni publik mund të përpiqet ta iniciojë nisjen e hetimeve për Departamentin e Drejtësisë.

Por Merrick Garland, mendoj unë, do të tregojë se ai ka vepruar me shqyrtimin më të plotë, ka ndjekur një rrugë të kujdesshme dhe ka grumbulluar një bollëk informacioni faktik. Ai është një nëpunës publik shumë i qëndrueshëm. Ky është një person shumë i qetë, i mbledhur dhe i sofistikuar që nuk i merr lehtë, veprimet e departamentit të tij. Kështu që nuk dyshoj se ky vendim ta ketë lenë pa gjumë”. / Përshtati “Pamfleti” nga “The Times

Bota Prokurori SHBA Trump